Kompesimi i ish-pronarëve, mbyllet shqyrtimi i dosjeve dhe vlerësimit financiar

24 Shkurt 2019, 07:45| Përditesimi: 24 Shkurt 2019, 07:48

  • Share

Agjencia e Trajtimit të Pronave njoftoi dje se nuk do të shqyrtojë më asnjë kërkesë të patrajtuar më parë lidhur me kthimin apo kompensimin e pronave, njëkohësisht duke mbyllur edhe procesin e vlerësimit financiar të pretendimeve të ish-pronarëve. Në fakt, këto dy procese kishin një afat kohor, sipas ligjit më të fundit që synon t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të pronësisë në Shqipëri, një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin normal të ekonomisë së vendit, njëkohësisht krijues në vite i përplasjeve të karakterit social, madhe gjenerues i akteve kriminale të të gjitha llojeve.

Sipas ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, për të dy këto procese është dhënë një periudhë trevjeçare në dispozicion, që fillon 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare të këtij ligji. Duke qenë se publikimi është bërë më 8 shkurt 2016 dhe ligji ka hyrë në fuqi më datë 23 shkurt të po atij viti, ditën e djeshme ka përfunduar afati ligjor si për shqyrtimin e kërkesave të ish-pronarëve lidhur me kompensimin, ashtu edhe ai për vlerësimin financiar të vendimeve për kompensim.

Kërkesat

Pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kanë qenë për tu shqyrtuar gjithsej 16.462 kërkesa të patrajtuara për 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë, të cilat përfaqësojnë kërkesat për njohjen e së drejtës së pronës, të bëra para hyrjes në fuqi të Ligjit 133/2015, si dhe kërkesat e bëra brenda afatit 90-ditor nga hyrja në fuqi e Ligjit.

Në bazë të kompetencave që Ligji i ka njohur, Agjencia e Trajtimit të Pronave, gjatë periudhës 3-vjeçare, ka trajtuar 9.512 kërkesa për njohjen e së drejtës së pronës.

Ligji 133/2015, në nenin 34 të tij përcakton se “Procesi i shqyrtimit të dosjeve, që janë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që janë në proces shqyrtimi pranë Agjencisë, përfundon brenda 3 vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Procesi i ndarjes së Fondit të Kompensimit të pronave vazhdon deri në kompensimin, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të të gjitha subjekteve që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi. Nëse ATP-ja nuk përmbush detyrimin për të trajtuar kërkesat brenda afatit 3-vjeçar,atëherë subjektet mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë për të trajtuar kërkesën e tyre, sipas përcaktimeve të këtij ligji”.

Sipas përcaktimeve të nenit 34 të ligjit, afati i shqyrtimit të kërkesave të patrajtuara nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave përfundoi më datë 23 shkurt.

Në këto kushte, Agjencia e Trajtimit të Pronave informoi të gjithë subjektet të cilëve nuk i është trajtuar kërkesa, mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë, për të kërkuar trajtimin e kërkesës së tyre. Gjithashtu, të gjithë subjektet aplikues (trashëgimtar ligjor/përfaqësues me prokurë) do të njoftohen nga Agjencia e Trajtimit të Pronave idividualisht, të tërheqin dokumentacionin e depozituar pranë sporteleve të institucionit, në mënyrë që të fillojnë me procedurat pranë gjykatës së shkallës së parë.

Vlerësimi financiar

Në përputhje me nenin 15 të ligjit, “brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe sipas përcaktimeve të tij, ATP-ja, vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë njohur të drejtën e kompensimit. Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin, subjektit i lind e drejta t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji”. Sipas përcaktimeve të nenit 15 të ligjit, afati i vlerësimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën për kompensim nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave përfundon më 23 shkurt 2016, kur mbushen plot tre vjet nga hyrja në fuqi e ligjit.

Sa më sipër, Agjencia e Trajtimit të Pronave, informoi dje subjektet e interesuara për mbylljen e procesit të vlerësimit financiar të vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit.

Agjencia e Trajtimit të Pronave shprehet e gatshme për çdo informacion apo paqartësi, duke ftuar qytetarët e interesuar pranë sporteleve të institucionit. Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin, subjektit i lind e drejta t’i drejtohet Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Risia e vlerësimit financiar ka të bëjë me një ndryshim shumë të rëndësishëm në metodologjinë e këtij procesi. Sipas ligjit të ri të vitit 2015, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë: prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit; prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.

Nga ana tjetër, vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen financiarisht, sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit dhe jo sipas zërit që kanë aktualisht. Nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar; nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca, sipas përcaktimeve të këtij ligji; në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kthim prone, atëherë llogaritet vlerësimi financiar i pronës së njohur për kompensim, bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në momentin e shpronësimit; në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kompensim prone, atëherë vendimi dhe dokumentacioni përkatës arkivohen sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat.

Çfarë ndryshoi në vlerësimin financiar të vendimeve për kompensim prone

Metodologjia

Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit

Prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit

Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim bëhet në përputhje me procedurën e mëposhtme

Nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar

Nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca, sipas përcaktimeve të këtij ligji

Në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kthim prone, atëherë llogaritet vlerësimi financiar i pronës së njohur për kompensim, bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në momentin e shpronësimit, sipas pikës 3, të nenit 6, të këtij ligji

Në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kompensim prone, atëherë vendimi dhe dokumentacioni përkatës arkivohen sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?