TIRANË- Zgjedhja e kreut të ri të SPAK ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme, duke prodhuar edhe debate dhe akuza për ndërhyrje të mundshme nga segmente të caktuara politike. Po cilat janë kompetencat e kreut të SPAK-ut, pra cili është pushteti i tij? Kreu i SPAK nuk ka asnjë pushtet mbi një prokuror sa i takon hetimit të një çështje korrupsioni dhe krimi, por kreu i SPAK ka në kompetencë ndarjen e dosjeve për prokurorët, sipas specializimin e tyre. Pra, kreu i SPAK dikton se cili prokuror duhet të hetojë një çështje penal, ku i përfshirë mund të jetë një zyrtar, ish zyrtar i nivelit të lartë apo figurë e krimit të organizuar. Ndoshta kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse ka një interes kaq të madh se kush do të pasojë Arben Krajën në krye të SPAK për 3 vitet e ardhshme.
Një tjetër kompetencë, parashikuar në nenin 15 të ligjit për SPAK, është edhe drejtimi i administrativ i stafit prej mbi 90 vetash të SPAK-ut. Në këtë kuadër, drejtuesi nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim në lidhje me procedurat administrative, si dhe rregullore për funksionimin e SPAK-ut. Kreu i SPAK-ut ka në kompetencë edhe koordinimin e punës së njësive hetimore të SPAK-ut me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe shërbimet e inteligjencës. Drejtuesi i SPAK-ut miraton edhe rregulloret e nxjerra nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, në rastin konkret nga Aida Hajna. Rregulloret e drejtueses së BKH-së nuk kanë vlerë vepruese pa u firmosur nga kreu i SPAK-ut.
Gjithashtu, drejtuesi thërret mbledhjen e SPAK-u kur është e nevojshme dhe pas konsultimit me Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nxjerr udhëzime për BKH-në, të cilat përmirësojnë marrëdhëniet e punës, efikasitetin apo garancitë mes SPAK-ut dhe BKH-së. Kreu i SPAK, në mungesë të tij, mund të caktojë një prokuror tjetër për drejtimin e SPAK, por jo më shumë se sa 45 ditë. Kreu i SPAK i paraqitet Ministrisë së Financave projektbuxhetin për SPAK si dhe paraqitet në Kuvend për buxhetin. Gjithashtu, kreu i SPAK, brenda datës 1 mars, i dorëzon Këshillit të Lartë të Prokurorisë një raport vjetor me shkrim mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.
Drejtuesi i SPAK paraqitet në KLP, në Komisionin e Ligjeve dhe në Parlament, për të raportuar për veprimtarinë vjetore të SPAK-ut. Drejtuesi u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të KLP-së si dhe deputetëve për punën e SPAK-ut. Gjithashtu, kreu i SPAK-ut merr masa për të zbatuar rekomandimet e Kuvendit për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.