Kompozitori: Artistët me karrierë, në kushte mizerable. Politikanët gdhihen miliarderë, pa punuar një ditë!

28 Maj 2020, 16:42| Përditesimi: 28 Maj 2020, 20:43

  • Share

Pasioni dhe dëshira e tij për të qenë pranë publikut na bën të mendojmë, se Enver Shëngjergji ndonëse ka më shumë se 40 vjet krijimtari në muzikën e lehtë shqiptare, nuk është shkëputur asnjëherë prej saj. Për “ReportTV” artisti u rikthehet bashkëpunimeve të para, me këngëtarët Naim Kërçuku, Bashkim Alibali, Marjana Leka apo Alida Hisku, të cilët u kanë dhënë zë këngëve të tij.

 “Nuk është se unë isha i vetmi i talentuar, por ishte edhe fati. Mua fati më bëri që të godasë me këngën e parë, që e ka kënduar Naim Kërçuku “Udhëtuam së bashku”. Ishte koha e aksioneve, kur rinia jetonte, punonte, por dhe dashuronte, prandaj dhe kënga gjeti mëshirim tek brezi i ri”, rrëfen Enver Shëngjergji.

Gjatë dy muajve të pandemisë COVID 19, artisti u rikthye me disa koncerte live në rrjete sociale, me këngët “Vajzat e fshatit tim”, “Mbrëmja e fundit” edhe shumë këngë të tjera, ku mes tyre veçon “Ninullën”, e cila është bërë për të gjitha nënat shqiptare.

 “Periudha e pandemisë më mbushi një boshllëk, që mos ta ndieja veten të vetmuar unë kam bërë disa koncerte. Ndonëse, të gjithë thonë që nënës i dhimbsen të gjithë fëmijët njësoj, por unë mbi ‘Ninullën’ nuk vë asnjë”, shprehet kompozitori.

Shëngjergji na rrëfen edhe atë çka ndodhi me krijimtarinë muzikore, pas viteve ’90

“Të mohosh të renë është nihilizëm, edhe unë këtë se bëj, por ka një gjë, se një e re që lind nëse nuk ka një taban, nuk i reziston kohës, është pa vlerë. Sikundër edhe një popull që nuk njeh prejardhjen e tij, s’mund të quhet shqiptar”, thotë Shëngjergji.

Një tjetër, problematikë e madhe për artistin është edhe mosnjohja e të drejtës së autorit, që për 30 vjet u është mohuar artistëve.

“E drejta e autorit?! Ka disa media që nuk paguajnë, krijimtaria jonë merret, ekzekutohet edhe ne nuk kemi asnjë qindarkë. Unë nuk pres që të marrë këtë, të më rrojnë fëmijët që më kanë ushqyer edhe më kanë paguar ilaçet. Por nuk është e drejtë që një brez si yni të vuaj. Unë thashë, që për vete nuk vuaj, por ka artistë që vuajnë për bukën e gojës. Qeveritarët kanë 30 vjet që vjedhin, çfarë nuk bëjnë, por për këtë të drejtë nuk kanë bërë asnjë gramë, me përjashtim të Albautor, që prej dy vitesh kanë nisur të na japin nga një thërrmijë”, përfundon Shëngjergji. 

Kompozitori përfundon se artistët e rinj nuk duhet të harrojnë gjuhën dhe identitetin shqiptar, të cilat më së miri gjenden në folklorin tonë, ndryshe ata do mbeten vetëm flluska sapuni të përkohshme.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?