Kompozitori në ‘Report Tv’: Shumë e vështirë të bësh art në Shqipëri! Të krijohen hapësira për të rinjtë, muzika klasike e preferuar

17 Dhjetor 2021, 19:26| Përditesimi: 17 Dhjetor 2021, 20:10

  • Share

Pedagogu dhe kompozitori Aulon Naçi, i ftuar në 'Studio Live' në Report Tv, u shpreh se historikisht, sa i përket historisë së muzikës shqiptare, ajo klasike ka qenë e preferuar. Pedagogu deklaroi se muzika klasike është elita e muzikës duke mos anashkaluar rrymat e tjera. Sipas Naçit, klasikja kërkon një vëmendje të veçantë nga ata që e krijojnë dhe ekzekutojnë atë.

Teksa tregoi se ka përfunduar studimet për kompozicion në Itali, tha se ka kryer specializime edhe në Belgjikë dhe vende të tjera ndërsa theksoi se prej 6-7 vitesh është kthyer në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij.

“Koncerti i parë recital me të gjitha veprat e mia, ka qenë ndër gjërat më të bukura që kam bërë. Së fundmi në Greqi me një ansambël nga Shqipëria duke luajtur veprat e mia.”-tha Naçi.

Përveç kësaj, kompozitori deklaroi se është shumë e vështirë të bësh art në Shqipëri pasi kërkon masivitet, mbështetje nga publiku për të përqafuar mbështetjen e muzikës klasike apo kontemporane. Aulon Naçi shtoi se sfidat të rrisin më shumë profesionalisht.

“Është shumë e vështirë, kërkon një masivitet në mbështetje reciproke. Ato vështirësitë e bëjnë më interesante përfundimin dhe realizimin e koncerteve kulturore. Sfidat të rrisin profesionalisht. Është një eksperiencë shumë e fortë por në vënde të tjera disa gjëra janë më të lehta.”-tha Naçi.

Kompozitori theksoi se të gjithë artistët në botë e kanë të vështirë për të spikatur ndërsa shtoi se muzika klasike kërkon një disiplinë më të fortë.

"Kur del në skenë dhe performon, kur ke një premierë, ke një mungesë besimi tek vetja sepse nuk e di si do e presë publiku. Duhet të marrim parasysh që mund të ketë shumë kohë që artisti është i angazhuar. Vende të tjera e kanë parësore zhvillimin e artit dhe kulturës"-tregoi Naçi.

Si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, Naçi tha se të rinjtë në Shqipëri, kanë një talent të jashtëzakonshëm por kërkojnë mbështetje nga prindërit, shkollat, dhe duhet të kenë hapësira të caktuara që të shkojnë në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Ka ende talente, më vonë shtohen vështirësitë se këto talente duhet të gjejnë veten ku të promovohen.”-tha Naçi.

Nëse dikush ka dëshirë të ndjekë koncertet e tij, Naçi theksoi se zakonisht i publikojnë në bashkëpunim me entet që i realizojnë.

“Kam realizuar me bashkitë, me të qytetit të Vlorës, Universitetin e Arteve, ambasadat, që bashkarisht bëjnë publikimin e tyre, por edhe në faqen time personale në rrjete sociale.”-tha Naçi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?