Çështja thelbësore është: të shpëtohet Republika Islamike. Më shumë sesa jeta e tij, ajatollahut i takon të ruajë vazhdimësinë e regjimit që ai e drejton prej 36 vitesh dhe të cilit ia ka kushtuar të gjithë jetën. Burime nga Teherani i kanë treguar New York Times se, nga frika se mund të vritej, i fshehur në një bunker, «Ali Khamenei ka zgjedhur një seri zëvendësuesish në zinxhirin e tij komandues ushtarak, në rast se disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt do të vriteshin». Por jo vetëm kaq: ajatollahu Khamenei ka emëruar edhe tre figura të larta të klerit si kandidatë për ta pasuar, në rast se ai vritet.
Sulmet ajrore të drejtuara nga Izraeli, të cilat për vetëm nëntë ditë kanë eliminuar mbi 25 nga drejtuesit politikë e ushtarakë mbi të cilët mbështetet Republika Islamike, kanë bërë që ai të trembet për jetën e tij. «Prioriteti absolut është ruajtja e Shtetit», ka deklaruar Vali Nasr, ekspert i çështjeve iraniane dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, për gazetën e Nju Jorkut. «Gjithçka është e llogaritur dhe pragmatike». Burimet pohojnë se djali i tij i dytë, Mojtaba, i konsideruar më parë si pasues i mundshëm, nuk ndodhet mes emrave të përzgjedhur.
Khamenei po merr vendime për të vënë në siguri diktaturën fetare. Në kohë paqeje, zgjedhja e Udhëheqësit Suprem, autoriteti më i lartë fetar dhe politik në vend, bëhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ me 88 anëtarë fetarë që zgjidhen drejtpërdrejt nga populli çdo tetë vjet.
Sipas Kushtetutës iraniane, udhëheqësi më i lartë duhet të plotësojë kritere specifike: të jetë një teolog dhe jurist islamik (faqih), të jetë i drejtë dhe i përkushtuar, të ketë njohuri për kohën në të cilën jeton, të tregojë guxim, iniciativë dhe aftësi në administrim, si dhe të gëzojë njohjen si udhëheqës nga shumica e popullsisë./Corriere Della Sera
