Pallati mbretëror në Durrës, që përshkruhet në libër

'Konaku i Durrësit', një libër për Pallatin Mbretnor të Princ Vidit

15 Janar 2019, 15:02| Përditesimi: 15 Janar 2019, 15:22

  • Share

“Konaku i Durrësit” është libri që mban firmën e arkeologut dhe studiuesit Eduard Shehi. Libri me 300 faqe, i botuar nga Akademia e Studimeve Albanalogjike merr në analizë një nga banesat simbol të qytetit bregdetar, veçanërisht gjatë viteve të para të historisë së shtetit të ri shqiptar.

Godina më vlera të veçanta historike u shemb pjesërisht 100 vjet më parë, gjatë një bombardimi të forcave aleate më 2 tetor 1918, për t'u rrënuar plotësisht në vitin 1928. Fatkeqësisht në vendin ku ajo ngrihej nuk ka asnjë shënim, që ta kthejë në kujtesë këtë banesë.

Godina që ndodhej pranë detit, pranë Torrës veneciane, u bë mjaft e njohur në të gjithë vendin, kur filloi të thirrej “Pallati Mbretnor”, pasi në mjediset e saj u vendos princ Wilhelm Wied dhe qeveria e tij.

Restaurimi paraprak i banesës me katër kate ka zënë vend në faqet e gazetave më të njohura perëndimore nga Franca e Italia, në Austri, Britaninë e Madhe dhe SHBA. Nga planimetritë e mbështetura në arkivat austriake, në vitin 1914 banesa ka 75 kthina dhe dhoma në të katër katet e saj.

14 gazetat e shquara, mes të cilave “Le Figaro”, “New York Times”, “ La Stampa” apo “Dielli”, si dhe 50 librat e shkrimet e autorëve vendas, po më së shumti nga vende të tjera të botës janë marrë në analizë nga arkeologu Eduard Shehi, i cili si një studiues mjaft serioz ka shfrytëzuar burime të ndryshme për t'i dhënë jetë dëshmisë së tij mbi godinën madhështore, që u bombardua e më pas u shemb.

Godina shihet thuajse në të gjitha kartolinat nga deti të fillimshekullit të kaluar, ndërsa pamjet më të mira të saj vijnë nga fotot e krahut lindor. Ajo ishte banesa më impozante e Durrësit, qytetit që në 10-vjeçarin e dytë të shekullit të kaluar, po merrte veten pas një periudhe të gjatë pasiviteti. Megjithatë të dhënat për planimetrinë e kësaj banese janë të pakta e shpesh herë kundërthënëse.

Ndërtimi intensiv i qytetit gjatë 100 vjetëve të fundit e kanë bërë më të vështirë krijimin e hartës së zonës së asaj kohe dhe vendndodhjen e godinave.

Zbulimi arkeologjik për planimetrinë e godinës

Shkak për këtë libër të Eduard Shehit ka qenë profesioni i tij parësor, arkeologjia. Siç shprehet autori që mban titullin Prof. as. Dr: “punimet e ndërmarra në vitin 2017 nga Bashkia Durrës për rikualifikimin e sheshit dhe infrastrukturës përpara hyrjes kryesore të portit detar mundësuan realizimin e gërmimeve arkeologjike në zonë”. Sondazhet e drejtuara prej tij në katër pika të ndryshme mundësuan zbulimin e mureve dhe fortifikimeve që nisin nga shek. 4-rt para erës sonë, deri në periudhën e vonë osmane.

Përcaktimi i planimetrisë së "Konakut të Durrësit", kërkoi bashkë me të dhënat arkeologjike edhe shfletimin e literaturës së fillim-shekullit të kaluar.

Sipas udhëtarëve të huaj, godina 3-katëshe është ndërtuar mes viteve 1818 – 1876 dhe fillimisht shërbentë si rezidencë e mytesarifit (guvernatori) Osman. Pas shpalljes së Pavarsisë, kur mendohet se shërbeu si vendtakimi mes delegacionit të Ismail Qemalit me parinë dhe drejutesit fetarë të qytetit, Konaku u bë teatër i disa ngjarjeve, mes të cilave ajo e vitit 1913, ku Esad Pasha krijoi një qeveri të tijën, pikërisht në këtë banesë, dhe dy vjet më pas kur ai banoi në godinë, pas largimit të Princ Ëied-it.

Godina e Konakut u rrafshua përfundimisht pas tërmetit të dhjetorit 1926, si dhe realizimit të planit urbanistik të qytetit bregdetar. Në vendin ku ngrihej kjo godinë historike nuk ka asnjë tabelë memorie për këtë periudhë historike të Durrësit.

Publikimi i librit “Konaku i Durrësit” nga Akademia e Studimeve Albanalogjike përbën një hap më shumë drejt lexuesve të shumtë të interesuar për letërsinë shkencore-divulgative.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?