Pamje nga ura e Vashës, pjesë e Rrugës së Arbrit

Opinion

Koncert

10 Gusht 2021, 16:05| Përditesimi: 10 Gusht 2021, 16:10

  • Share

Rruga e Arbërit nis te Kanioni i Dajtit. Sapo hyn në atë Kanion, provon ca mornica në lëkurë, fërgëllim të trupit, rrënqethje të shpinës, ndjehesh si në korridorin hyrës të Teatrit ku po shkon me pa një çfaqje të rrallë me skena mahnitëse dhe aktorë virtuozë që e ke pritur gjatë, dhe më së fundi, rasti fatlum erdhi.

Pas Kanionit të Dajtit, pra pas korridorit të Teatrit, vjen Holli i Teatrit. Hapësira kilometrike ku, përveç rrugës së gjërë të asfaltuar, mund të shohësh majtas e djathtas dhe rrethepërqark gjithçka që Krjuesi ka gdhendur me dorën e vet mes Tokës e Qiellit: Lugina marramendëse, pyje, male të vrazhdë, përrenj, shkëmbinj, korie, zabele.

Në Zall Bastar, ngjitja për te Qafa e Murrizit është një gjarpërim i butë dhe fort i këndshëm në faqen e malit. Gjatë atij gjarpërimi, për pak minuta të kalojnë para syve, nga shkurret mesdhetare te pishat alpine. Është nga të rrallat ngjitje ku menu të syve nga mbrapa ke gjysmën e Shqipërisë: Dajti, Bovilla, Qafmolla, Fekeni, Malësia e Krujës, Qaf Shtama, deti, janë të tuat, të gjitha gratis, pa asnjë çmim. Veç mos kthe kokën prapa se gjen belanë. Bie në ndonjë humnerë prejku s'të nxjerrin dot as helikoterat e NATO-s, mbetesh në errësirë, vjen natën të çan ujku.

Duke u ngjitur, një gjinkallë këtu, një cinxërr atje, një dallandyshe pak më tutje, duket si muzikë. Por jo e plotë. Kakofoni e pranueshme. Diçka e ngjajshme me ato pak minuta para çfaqjes kur istrumentistat akordojnë veglat. Qafa e Murrizit lart në mal, është Lozha prejnga publiku i ardhun nga an' e anës kqyr Koncertin.

Pas Qafës së Murrizit, s'ka më para e prapa. Ka vetëm teposhtë.
Mes luginës, që mund të jetë më e magjishmja në botë, kalon Rruga e Arbërit.
Para syve Mati, Klosi, Mali i Allamanit, katundet.
Dilemë autostradale.
S'mund të kqyret rruga nga rruga.
As katundi nga katundi.
Si i bëhet ?
Kqyr njërën nga të dyja;
Katundet nga rruga, nëse preferon të kalosh përgjatë rrugës.
Ose rrugën nga katundet, nëse ke zgjedhur të zbresësh teposhtë përmes katundeve.
Katundet aty janë dhe aty do jenë me shekuj, i sheh një herë tjetër.
Këtë herë bjeri nga katundet për me pa rrugën.

Sapo futesh nëpër shtigjet e vjetra për me pa rrugën e re në anën tjetër të luginës, akordimi i instrumentave që nisi gjatë ngjitjes, mbaron. Koncerti ka filluar. Ja Atdheu im, ja përmes kaltërsish, Shqipëria ime... buçet zëri i Voce Zelës. Vocja nuk duket gjëkundi. Vetëm zëri i Saj shpërthen kahmos, nga guvat, shpellat, shkrepat, toka, qielli. Mbi një shkëmb, me shkopin e dirigjentit në dorë, sytë e mbyllur, cullufet që i hidhen mbi ballë, Herbert Von Karajan po dirigjon Simfoninë numur 5 nga Ludvig Van Beethoven. Orkestra që po tund malet me 3 mijë violina ndodhet e tëra në anën tjetër të luginës, përballë në fshatin Xibër.

Buzë një përroi, në prezencën e një publiku të zgjedhur që ka ardhur enkas nga Tirana, Shkodra, Diaspora, Ibrahim Tukiçi rënë në delir të thellë po interpreton një këngë të vjetër shkodrane aq të bukur sa ta lëviz kapakun e kokës. Mbi luginë, te një rrafshnaltë e blertë majë malit, Louis Armstrong me saksofonin drejt qiellit, zërin e karakteristik dhe një shami qurrash në dorë për fshirjen e djersës, po luan hatashëm "Kiss of Fire".

Nga brenda një shpelle ku thuhet se ka kaluar jetën një virgjëreshë shenjtore lokale që ka bërë çudira me shterpësinë e qoseve, kockat e rakitikëve, sytë e qorrave dhe veshët e shurdhave, Tom Ëaits i bërë tapë me raki rrushi, po këndon "Temptation". Më tepër se gjysma e katundit Guri i Bardhë që ndodhet aty afër, kanë ardhur me aeroplan të posaçëm nga Aeroporti i Kukësit për të ndjekur vibracionet e muzikës së Ëaits, gjuhën e të cilit, Anglishten, e kanë mësuar hezber në Londër dhe Birmingham ku kanë vajtur për kurbet.
Një grup të rinjsh ulur rreth një zjarri, si Fakirët indianë që me fërshëllima nxjerrin gjarpërin nga qypi, me anë të disa pëshpërimave mistike, kanë nxjerrë nga fundi i oqeanit të muzikës shkodrane perlën llaftarisëse "Serenatë Nuses".

Te një përrua, adhurues të çmendur ardhur enkas nga Mati dhe Dibra, po ndjekin të nemitur virtuozin Gene Krupa. Krupa, me grupin e vet që përbëhet nga bateri, piano, saksofon, po i qan me lot "Dark Eyes", apo "Syt e Zinj" si thuhet në gjuhën arbërore. Django Reinhard ulur në karrike buzë një përroi, me kitarë dhe cigare të ndezur në dorë, publikun e ulur këmbëkryq në bar po e mahnit me "Minor Sëing". Te ura surreale nga shkëmbi në shkëmb dhe nga tuneli në tunel, i mahnitur nga përmasat dhe proporcionet, eleganca konstruktive e urës që më tepër se vepër inginierike është kryevepër Arti, Leonardo dora vetë, duke mërmëritur vargjet,
S'i' fosse foco, arderei 'l mondo
S'i' fosse vento, lo tempesterei
S'i' fosse acqua, ì' l'annegherei
S'i' fosse Dio, mandereil 'en profondo
nga S'i' fose foco e Cecco Angiolieri,
dhe i përthithur në kalkulime, po pyet inginierin projektues dhe realizues që e shoqëron, për materialet e përdorura, vinçat dhe makineritë e tjera që e mundësuan ndërtimin e asaj marramendjeje fantastiko-shkencore.

"La Leyenda del Beso" nga disa interpretues njëri më mahnitës se tjetri, i bëjnë malet të kjajnë.
Shopen me pika gjaku mbi piano, Mozart, Çajkovski, Shostakovich dhe të tjerë, njëri mbi ndonjë ledh, tjetri mbi ndonjë shkrep, nuk mund të mungonin në këtë mahnitje audio-video.
Nuk mungoi gjithashtu as Rolando Villazon me "Je crois entendre encore" nga Peshkatarët e Perlave, që, përveç shkurreve, bëri të kjajnë edhe drurët, edhe shkëmbinjtë me lotë të bardhë si qumësht nëne.

André Rieu ekzekutoi "Besame Mucho" në kupë të Qiellit. Krejt lugina e duartrokiti. Edhe çakajt edhe skilet edhe ujqit që dolën nga shpellat. Edhe lepujt dhe gjarpërinjtë që dolën nga ferrat. Moj e bukura More nga një grup arbëresh i përloti deri në dënesje me gulçe krejt të pranishmit në të dy anët e luginës deri në majat e maleve. Nga Tirana në Dibër, Rruga e Arbërit është e tëra Koncert.

Komento

Komente

  • Scutari: 11/08/2021 18:07

    Je penë e fortë zoti Ypi!!

    Përgjigju
  • katarakti 2: 11/08/2021 11:00

    Zjarri,uji,era Zoti! Te gjitha keto u mundua te bente Saliu! A i ka ardhur koha te paguaje demet? Te gjitha ne kete Bote lahen! Parajsa eshte bosh!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?