LEZHË- Arti i muzikës klasike, në flaut dhe kitare zbriti për herë të parë në kishën mesjetare, monument kulture të “Shën Premtes” në Balldren të Lezhës.
Koncerti me muzikë klasike spanjolle, në kishën historike erdhi nën interpretimin e dy artistëve shqiptarë nga Kosova, flautisja Nina Shala dhe kitaristi Drilon Çoçaj.
“Fillimisht menduam në Shkodër, por më pas na ka pëlqyer shumë ideja për të realizuar koncertin në Lezhë. Kemi patur shumë dëshirë të ekzekutojmë pjesë muzikore në flaut në kishën e “Shën Premtes” meqenë se është dhe një kishë shumë e vjetër. Është kënaqësi e madhe”, u shpreh muzikantja Nina Shala.
“U gëzuam që jemi të parët që po e mbajmë këtë koncert dhe shpresojmë që pas nesh të vijnë dhe shumë artistë të tjerë. Programi është i larmishëm, kryesisht është muzikë spanjolle, ka muzikë argjentinase pak tango dhe muzikë të vjetër është një larmi’, tha muzikanti Drilon Çoçaj.
Për organizatorin studiuesi Dom Nik Ukgjini, evente të tilla janë një mundësi e mirë për promovimin e objekteve të kultit dhe aseteve kulturore e historike që ruhen prej shekujsh.
“Kjo kishë ka një vlerë të veçantë dhe ka qene e papromovuar, atëherë menduam që mënyra për të promovuar dhe këtë ambient apo visar të çmuar kombëtar është një koncert me muzikë klasike mesjetare që i përshtatet dhe ambientit. Ne na mungojnë organizime të kësaj natyre, por duhet të shkojmë dhe tek ajo burimorja në muzikë”, u shpreh Ukgjini.
Nën tinguj e violinës dhe flautit, koncerti me muzike klasike në kishën mesjetare të “Shën Premtes” zgjati rreth 60 minuta duke tërhequr vëmendjen e publikut.