Koncert në Amfiteatër, Armaldo Kllogjeri: 15 vjet sakrificë në skenë, me emocione pozitive edhe negative

29 Maj 2019, 15:15| Përditesimi: 29 Maj 2019, 16:55

  • Share

Ariet më të bukura operistike, këngë napolitane dhe këngë shqiptare, por edhe pjesë korale do të jenë në fokusin e koncertit “E lucevan le stelle”, që zhvillohet në skenën e Amfiteatrit tek Liqeni i Tiranës. Tenori Armaldo Kllogjeri për rreth një orë do të këndojë para publikut në skenë të hapur, së bashku me të ftuarën speciale sopranon Ramona Tullumani. Ndërsa, orkestra do të drejtohet nga dirigjenti Gridi Kraja dhe kori nga Dritan Lumshi, artisti na rrëfen se përse zgjodhi, që këtë koncert ta titullojë “E lucevan le stelle”.

“E kam përzgjedhur, sepse kjo është aria që unë nisa karrierën time artistike në operën e edhe baletit. Kjo arie më ka shoqëruar gjithë kohës. Është një arie, që ka një emocion shpirtëror edhe është shkruar shumë bukur nga Puçini. Ndjeshmëria edhe emocioni që të jep dhe të përçon është shumë e bukur”, thotë tenori Armaldo Kllogjeri.

Tenorin që e kemi parë nën petkun e Dukës tek Rigoleto, të Alfredos tek Traviata apo Rodolfo tek La boheme na rrëfen se si kanë qenë këto 15 vite në skenën e operës.

“Këto 15 vite kanë qenë vite sakrifice edhe djerse, emocione të bukura edhe negative ndonjëherë, por puna edhe këmbëngulja më ka bërë që ta zgjas karrierën time akoma edhe më gjatë. Por kur e mendoj them se duhet që të punoj edhe për të bërë edhe gjëra më të bukura. Janë 15 vite më shumë edhe eksperiencë me kolegët edhe me institucionin. Nuk jam pishman, që kam zgjedhur këtë profesion”, thotë tenori.  

Koncerti “E lucevan le stelle” është në datë 30 maj në skenën e Amfiteatrit tek Liqeni. Ndërsa, në datë 8 qershor tenori Armaldo Kllogjeri do të këndojë në operën “Madame Batterfy” në Spanjë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?