TIRANË- “Koncert në vitin 1936 është një film që i rezistoi kohës”...Përshëndet nga Strasburgu, regjisori Saimir Kumbaro, restaurimin e filmit të tij. 44 vite larg ekranizimit, Arkivi i Filmit thirri në ndihmë për “Koncert në vitin 1936” Quality Matters, një ekip restauruesish nga India, ndërsa skanimi iu besua Kinematekës së Malit të Zi.
“Nuk ka lajm më të bukur për aktorin. Sepse e shohim filmin të restauruar, ka një dritë, një shkëlqim, po ta shohim, krahasuar me si ishte, duket i mrekullueshëm. Sikur është ringjallur”, thotë aktorja Margarita Xhepa.
Në ambientet e Arkivit mbrëmjen e së martës, janë të pranishme aktoret Margarita Xhepa e Manushaqe Qinami.
“Unë isha në të 40-tat, pianon e mësova disa momente që mund t’i bije, këngën e kam dashur gjithmonë pavarësisht se nuk u bëra kurrë këngëtare. Dhe, në atë kohë, më pëlqeu shumë roli në skenarin e Kiço Blushit të paharruar”, thotë Xhepa.
Në rol ato interpretojnë pianisten Eleni që personifikon Lola Gjokën , e sopranon Tefta Tashko. Dy artiste që nga Parisi, shkojnë drejt baltrave të Myzeqesë në Lushnje, për të dhënë një koncert.
“Nuk më hiqet kurrë nga kujtesa! Një njohje e vjetër me regjisorin Saimir Kumbaro, mik familjar, dhe në atë kohë ai ishte duke kërkuar një aktore që t’i përshtatej rolit. Në moment i shkon mendja tek unë, ishte dhuratë e Zotit”, shprehet aktorja Manushaqe Qinami.
Ndërsa më tej rrëfen se si hyri në petkat e rolit të Tefta Tashkos.
“Unë isha pjesë e korit dhe duke qenë edhe ajo vokaliste dhe ne shoqëruesit e e saj nëpër koncerte. E njihja shumë mirë”, thotë aktorja.
Për aktorin Mirush Kabashi, roli i Toger Shazivarit ishte debutimi i tij.
“Ky ishte roli im i parë në film, kisha luajtur vetëm në telefilmi. E dija që ky minirol, ose do të më hapte një rrugë, ose do ta mbyllte atë. Aq më tepër që provova dhe një element tjetër siç ishte gagaçllëku, jo për të krijuar humor, por në funksion të idesë që përfaqësonte personazhi im”, thotë Kabashi.
Më tej aktori tregon se si ishte puna me kolegët e tjerë.
“Në atë film mbaj mend shumë gjëra të bukura, dhe një ndër to ishte kompaktësia që patën artistët me njëri-tjetrin”, thotë Kabashi më tej
Filmi u shfaq sot edhe në Libohovë, ku u realizuan xhirimet. Në mënyrë simbolike, rikthimi i premierës së restauruar u lajmërua përmes një tellalli. Skenari i filmit "Koncert në vitin 1936" është shkruar nga Kiço Blushi, sipas tregimit të Dhimitër Shuteriqit "Baltrave të Myzeqesë".