Një nga formacionet artistike, që përcjell vlerat e trashëgimisë kulturore, ansambli “Skënderbeu” performoi në skenën e teatrit “Cajupi” në Korçë.
Djem e vajza të talentuara të këtij ansambli kanë përcjellë për artdashësit korçarë emocione të forta me këngë e valle të trevave të Shqipërisë së Mesme dhe Juglindjes.
Mjeshtri i madh Josif Minga tha se përmes këtij koncerti synojnë të rijetëzojnë materiale të tabanit të traditës shqiptare.
“Ne përpiqemi të ringjallim e të rijetëzojmë ato materiale, të cilat për arsye të ndryshme janë harruar. Duke emancipuar programin dhe duke sjellë ato të cilat brezi i ri nuk i ka dëgjuar, zgjodhëm për t’i sjellë si surprizë me një profil më të avancuar”- tha udhëheqësi artistik, Josfi Minga.
Me koreografi të artistit Bardhi Pojani, regji të Blerta Belliut dhe nën udhëheqjen artistike të Josif Mingës koncerti rrëmbeu duartrokitjet e publikut.