Koncert recital/ Dy balerinët Adela dhe Anxhelo Muçollari, në majë të gishtërinjve tek 'Arturbina'

12 Mars 2019, 17:15| Përditesimi: 12 Mars 2019, 17:29

  • Share

“Në majë të gishtërinjve”. Një koncert i veçantë recital do të ngjitet në skenën e ArTurbinës. Dy balerinët e njohur Adela dhe Anxhelo Muçollari, motër dhe vëlla në jetë, kanë vendosur të sjellin, si partnerë në skenë pjesë klasike, neoklasike dhe kontemporane, muzikë live, por dhe shou për publikun.

Primabalerina e shumëduartrokitur e Teatrit të Operës dhe Baletit na rrëfen se ky koncert për të, është si një buqetë me lule, jo vetëm për të festuar vetëm karrierën e tyre artistike, por edhe për të falënderuar  këdo, që i ka mbështetur në udhëtimin që kanë bërë.  

 “Ky është një koncert recital imi dhe i Anxhelos. Unë kam shumë vite që të bëja një koncert recital dhe po prisja që edhe Anxhelo të ishte gati. Është një karrierë shumë e gjatë kam shumë role që kam interpretuar në këtë teatër dhe ky teatër më jep një sadisfaksion të jashtëzakonshëm, të jesh soliste e parë në këtë teatër është qëllimi i një jete që në vegjëli edhe deri më sot” tha  Adela Muçollari, primabalerina e TKOB.

Në skenë jo me një partnerë të rastësishëm, por me vëllanë, kjo është një nga ëndrrat më të mëdha që mund të ketë një artiste, sikundër ka qenë edhe për Adelën

 “Është një ëndërr të kërcesh me vëllanë tënd. Nuk ndodh shpesh, është një gjë shumë e rrallë, aq më pak në artin tonë. Të interpretosh në krahët e Anxhelos dhe Anxhelo në krahët e mi është gjëja që ne kishim nevojë, të kërcenim në një gjak”tha  Adela Muçollari.

Blerina Arbana dhe Alisa Gjoni janë dy baletmaestrat, që Adela nuk do të resht asnjëherë duke i falënderuar. Por për gjithçka ka arritur deri më tani, ajo ja dedikon edhe nënës së saj

 “Padiskutim që ajo që mua më ka ndihmuar deri më sot është nëna ime. Nëse ne jemi këtu ku jemi sot, kjo është falë saj, ne jemi tërë kohës në punë edhe ajo ka qenë gjithmonë aty. Në momente të vështira edhe të lumtura ka qenë aty. Ajo më dhuron jetën dhe unë i dedikojë jetën që kam sot”theksoi Adela Muçollari.

Edhe për Anxhelon ky koncert recital është i rëndësishëm,jo vetëm se manifeston kulmin e karrierës, por sepse ai do të jetë në skenë me gjysmën e tij më të mirë, Adelën  

 “Tashmë Adela është pjesë e jetës sime, është gjysma e jetës sime, sepse ne jemi kudo bashkë. Mendoj se një anë e mirë është që të kesh një njeri kaq të afërt pranë vetes, edhe pse ndonjëherë duket shumë e ekzagjeruar, por është fat” u shpreh Anxhelo Muçollari.

Dy balerinët kanë menduar që të ardhurat që do të mblidhen nga biletat, t’i dhurojnë për një akt shumë human.

 “Duke qenë se ne na bashkon një gjak. Kemi dëshirë që edhe fëmijët që vuajnë nga sëmundja e gjakur të ndihen të lumtur, edhe të plotësojmë sadopak nevojat e tyre për jetën” përfundoi Adela Muçollari.

Në datat 15, 16 dhe 17 mars, ora 19.00 në skenën e ArTubinës në një orë e dhjetë minuta, dy balerinët do të përcjellin ndjenja, emocione, shou edhe spektakël.  Disa nga të ftuarit specialë në këtë mbrëmje janë, Alisa Gjonin, Fatjon Liton, Elvina gurrën, Ilirjad Shaba, Tan Brama, Rovena Shqevi, Kristi Dushmani, Besi Skura etj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?