Artistët e rinj, të cilët u ngjitën për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit kanë qenë kryefjala e koncertit të organizuar mbrëmjen e së enjtes nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Mbrëmja e titulluar “Brez pas brezi”, një nga shfaqjet më interesante të Ansamblit, bazuar nga fillimi në fund te talentet e reja, solli për publikun valle, këngë dhe pjesë instrumentale nga nxënës të Shkollës Kombëtare të Baletit, të Liceut Artistik, të gjimnazeve të kryeqytetit dhe shkollave profesionale, ndërsa të pranishëm ishin edhe artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
“Ky projekt vjen në vazhdën e projekteve të TKOB-it, që është edukimi përmes artit dhe kulturës. Është shumë e rëndësishme për artistët e Ansamblit Kombëtar dhe për ne si drejtues, që të përcjellim te talentet e reja artin, foklorin tonë, trashëgiminë tonë shpirtërore të mrekullueshme, e cila është një vlerë kombëtare.”, - thotë Sokol Marsi, drejtues i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Ky është koncerti i katërt që Ansambli Kombëtar organizon si pjesë e këtij projekti dhe do të vijojë edhe përgjatë qershorit me një tjetër koncert me talentet e reja.
Komente
