Historia e muzikës italiane me emra, si: Rossini, Donizetti, Verdi e Puçini, por dhe këngë të njohura të muzikës napolitane të 1900-ës në sallën e Kishës Katolike në Tiranë, shënuan nisjen e Javës Italaine të Kulturës. Aktiviteti solli në Shqipëri të rinjtë e orkestrës së njohur “Magna Grecia”, një orkestër që përbëhet nga të rinj kryesisht nga krahina e Puglia-s dhe zonat fqinje, të moshës 14 deri në 25 vjeç.
“Diplomacia kulturore është dialog dhe besoj që është një instrument i çmuar për të forcuar marrëdhëniet mes dy popujve tanë. Besoj se orkestra është një shenjë e unitetit dhe identitetit: identitete të ndryshme, instrumente të ndryshme që tingëllojnë bukur së bashku, Është një fillim i madh, i bukur sepse është edhe një orkestër e të rinjve që dëshmon sa profesionalë janë të rinjtë, sa dëshirë kanë për të ardhmen dhe se si duhet të kujdesemi për këtë.”, - thotë Marco Alberti, Ambasador i Italisë në Shqipëri.
Orkestra “Magna Grecia” luajti për herë të parë në Shqipëri
“Është hera jonë e parë në Shqipëri dhe jemi të lumtur. Ndërsa kemi kënduar në italisht kemi ndier edhe pjesëmarrjen e popullit shqiptar dhe ka qenë vërtet një energji e bukur midis nesh.”, - thotë baritoni Gampiero delle Grazie.
“Kemi kënduar disa pjesë nga opera italiane, si dhe këngë italiane, napolitane, disa nga këngët më të bukura e më të njohura”, - thotë sopranoja Sara Intagliata.
Orkestra “Magna Grecia” është themeluar në vitin 2020 në bashkëpunim me Bashkinë e Tarantos, me qëllim promovimin dhe rritjen e talentit muzikor duke inkurajuar pjesëmarrjen e brezave të rinj të muzikantëve studentë nga Puglia dhe më gjerë.
Aktivitetet e Javës Kulturore Italiane do të vijojnë me të tjera ngjarje, jo vetëm muzikore, por edhe në fushën e modës, kuzhinës e ushqimit etj.
Komente
