Kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi

Sociale
Sport

Koncerti në stadium, në Shkodër ka përplasje mes bashkisë dhe klubit! Vllaznia: Kemi bërë denoncim, ndryshon destinacioni! Zyrtari: Pretendime të pavërteta

16 Qershor, 14:36| Përditesimi: 16 Qershor, 23:05

  • Share

SHKODËR - Një koncert recital i këngëtarit të mirënjohur shkodran, Bujar Qamili, ka përplasur Bashkinë e Shkodrës si organizatore, me klubin e futbollit të këtij qyteti, KF Vllaznia. Në datën 21 qershor është njoftuar se në stadiumin "Loro Boriçi" do ketë një koncert nga Bujar Qamili, ndërsa kundër kësaj ideje është Klubi i Futbollit Vllaznia që pretendon se nga ana e bashkisë është duke u shkelur ligji dhe po tjetërsohet destinacioni i përcaktuar për stadiumin.

Këtë mesditë në Shkodër këngëtari Bujar Qamili dha një intervistë për mediet nga salla e konferencave të stadiumit, ku nuk kanë munguar as përplasjet dhe ofendimet mes zyrtarëve të bashkisë dhe presidentit të KF Vllaznisë, Alban Xhaferi.

Vllaznia njofton se ka bërë dy denocime për “shpërdorim detyre” dhe "thyerje të etikës së zyrtarit publik" për drejtorin e Kulturës në bashkinë Shkodër, Pandi Laço, si edhe zyrtares Sara Smaja.

"Në momentin e hyrjes së presidentit të KF Vllaznia iu kërkua menjëherë prezantimi i një autorizimi ligjor të drejtuesve të Bashkisë sipas formës ligjore nëpërmjet vendimit të Këshillit Bashkiak, për ta përdorur këtë impiant përtej destinacionit të miratuar në shërbim të sportit dhe specifikisht futbollit. Përballë kësaj kërkesë të ligjshme u gjendëm me një fjalor rrugaçërie nëpërmjet një komunikimi jashtë normave të etikës ku zyrtarët bashkiakë theksuan se ne mund të bëjmë çfarë të duam dhe aktivitete e koncerte të tjera do të pasojnë në vazhdimësi", njofton Vllaznia.

Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi shkon më tej dhe thotë se nuk ka asnjë informacion nga bashkia dhe se Klubi i Futbollit Vllaznia rrezikon ndeshjet e Evropës dhe ato të kampionatit, për faktin se mund të prishet fusha.

"Një situatë e paprecedentë. Nuk kam asnjë informacion nga Bashkia Shkodër për koncertet që do të bëhen. Rrezikojmë ndeshjet e Kupave të Europës dhe të kampionatit për t’i zhvilluar në Shkodër. Vllaznia është më e vjetër se Bashkia Shkodër. Ka disa segmente në Bashkinë Shkodër që nga pjesa e injorancës nuk e dijnë vlerën e Vllaznisë", tha Xhaferi për mediat.

Në lidhje me këtë situatë, reagoi edhe Drejtori i Sporteve në bashkinë e Shkodrës. Auron Miloti, dikur mik me presidentin Alban Xhaferi dhe ish-zyrtar i kuqebluve, ka thënë se është njoftuar edhe Vllaznia për këtë aktivitet dhe se pretendimet e Xhaferit janë të pavërteta.

"Data e koncertit është caktuar në një periudhë kur nuk është planifikuar asnjë aktivitet sportiv. Garantuam që fusha sportive e stadiumit nuk do të preket. Bujar Qamili, një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë. Pretendimet e Xhaferit nuk janë të vërteta", tha Miloti mes të tjerash.

Vllaznia ka nxjerrë edhe shkresën që Federata Shqiptare e Futbollit i dërgonte Bashkisë Shkodër në fillim të shkurtit 2025. Institucioni i futbollit në vend kërkon të respektohet destinacioni i impiantit si vend që shërben për sport, duke thënë se ky është edhe një kriter i UEFA-s

Ora 23:01
Bashkia Shkodër: Koncerti i 'Nderit të Kombit' Bujar Qamili, nuk cënon stadiumin, as aktivitetin sportiv! Ftojmë qytetarët të festojnë më 21 qershor

1750107837_bashkiashkoder.jpg

Bashkia Shkodër

Bashkia Shkodër ka reaguar pas polemikave të fundit lidhur me koncertin recital të këngëtarit të mirënjohur shkodran, Bujar Qamili, i kundërshtuar nga Klubi i Futbollit Vllaznia dhe presidenti i tij, Alban Xhaferi.

Në një deklaratë zyrtare, Bashkia bën të ditur se koncerti i këngëtarit “Nder i Kombit” nuk dëmton logjistikën e stadiumit “Loro Boriçi” dhe se veprimtaria zhvillohet në përputhje të plotë me administrimin ligjor të asetëve të saj.

Deklarata e Bashkisë Shkodër:

Të nderuar qytetarë të Shkodrës, sportdashës të Vllaznisë, brenda dhe jashtë qytetit,

Nëpërmjet mediave jeni njohur me një situatë të paprecedentë dhe të pazakontë për Shkodrën e kulturës dhe të sportit.

Konferenca për shtyp e Mjeshtrit të Madh, Bujar Qamili, një nga figurat më të çmuara të qytetit dhe të muzikës shqiptare, është shoqëruar me reagime publike nga Klubi i Futbollit Vllaznia dhe presidenti i tij, z. Alban Xhaferi.

Për këtë arsye, dëshirojmë të informojmë opinionin publik qartë dhe me transparencë:

 • Koncerti i këngëtarit Bujar Qamili, “Nder i Kombit”, nuk cënon në asnjë moment logjistikën e stadiumit “Loro Boriçi”, i cili është aset dhe administrohet nga Bashkia Shkodër. Skena do të vendoset në pjesën e pistës së stadiumit, pa prekur fushën e lojës apo infrastrukturën sportive.

 • Koncerti i datës 21 qershor është një veprimtari zyrtare e Bashkisë Shkodër, që zhvillohet në asetet e saj, pa asnjë ndryshim destinacioni.

 • Përfaqësuesit e Bashkisë dhe të strukturave të kulturës nuk kanë cenuar apo ofenduar askënd. Përkundrazi, janë përballur me sjellje të papërshtatshme nga z. Alban Xhaferi dhe persona që e shoqëronin atë – për të cilat Bashkia i është drejtuar organeve kompetente.

Për më tepër, sqarojmë se aktiviteti i datës 21 qershor nuk cënon në asnjë mënyrë licensimin apo kushtet e UEFA-s, siç është pretenduar apo abuzuar publikisht.

KF Vllaznia ftohet të shmangë deklarata që mund të krijojnë tension apo keqkuptim te tifozeria shkodrane

Shkodra dhe Vllaznia janë një!

Në këtë frymë, Bashkia Shkodër mbështet fuqishëm ngjyrat kuqeblu, simbol i krenarisë sonë qytetare, dhe njëkohësisht promovon kulturën si një tjetër pasuri e identitetit shkodran.

Ftojmë të gjithë shkodranët dhe jo vetëm që të jenë të pranishëm më 21 qershor, në stadiumin “Loro Boriçi”, për të festuar së bashku me Bujar Qamilin në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzikës – në një mbrëmje që do t’i përkasë zemrës së Shkodrës.

Ora 16:12
Vllaznia nxjerr shkresën, FSHF i kujton Bashkisë Shkodër: UEFA si donatore ka kërkesa strikte

Letra e FSHF-së drejtuar Bashkisë Shkodër

Në Shkodër është duke u zhvilluar një përplasje mes bashkisë së qytetit dhe Klubit të Futbollit Vllaznia. Në datën 21 qershor bashkia ka organizuar në "Loro Boriçi" një recital të këngëtarit Bujar Qamili, me klubin që është kundër që diçka e tillë të zhvillohet aty; kjo pasi prishet cilësia e fushës dhe ndryshon destinacioni i impiantit.

Tanimë Vllaznia ka nxjerrë edhe shkresën që Federata Shqiptare e Futbollit i dërgonte Bashkisë Shkodër në fillim të shkurtit 2025.

"Në lidhje me polemikat e krijuara së fundi për stadiumin "Loro Boriçi" dhe funksionin që ai duhet të luajë, për transparencë dhe informim të opinionit sportiv, po publikojmë shkresën zyrtare që FSHF i adresoi pak muaj më parë Bashkisë Shkodër duke i kujtuar se nuk mund të ketë devijime nga projekti sportiv i destinacionit të këtij impianti", shkruan Vllaznia.

Në përgjigjen e FSHF-së bie në sy se ajo kërkon të respektohet destinacioni i impiantit si diçka që shërben për sport, duke thënë se ky është edhe një kriter i UEFA-s për ndarjen e stadiumeve sipas kategorive.

Pjesë e shkresës është fakti që Shqipëria do të organizojë Europianin U-21 me Serbinë në 2027 dhe UEFA pret që në stadium të mos ketë devijime nga projekti sportiv.

S.Dh/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • jon: 16/06/2025 15:45

    Klubi Vllazënia drejtohet nga fëlliqësira Alban Xhaferi që urdhrat i mer nga Xhozi..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?