Kritiku i artit John Ruskin thoshte se” “Mirënjohja më e mirë për lodhjen e përkushtimin, nuk është ajo që ne marrim prej saj, por çka bëhemi falë saj”... Të ndihmosh të rinjtë e talentuar, të ringrihen pas dështimeve, të zhvillohen e prekin kulminacione artistike, suksesi, nuk është e lehtë, por respekti e dashamirësia në sytë e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”, rrëfen se ka nga ata pedagogë që ja kanë dalë... Për 4 ish- mësuesit e tyre, Zina Zdrava, Anita Vezulli, Elida LLupo dhe Riza Zdrava, që shkëputen nga Liceu, tregues suksesi është mbi të gjitha koncerti “Tinguj mirënjohjeje”, ku nxënësit mbushin sallën “Tonin Harapi” me magjinë e artit elitar.
“Është një koncert për kontributin e këtyre brezave, artistëve që në këtë lice kanë formuar artistët e rinj, ata që na përfaqësojnë sot brenda edhe jashtë vendit. Është një gjest shumë i vogël, krahasuar me punën e madhe që kanë bërë këta mësues në formimin e këtyre brezave të rinj. Por është bërë me dashuri të madhe. Është një nisëm që shpresoj të vijojë edhe në vitet pasardhëse, sepse mirënjohja ndaj punës së artistëve nuk shlyhet asnjëherë. Përpos gjithçkaje ata asnjëherë nuk do ta dalin në pension, sepse artisti s’del kurrë në pension, është gjithmonë i ri, por që u shkëputën nga liceu artistik “Jordan Misja””, shprehet Valbona Gavelli, drejtoresha e liceut artistik “Jordan Misja”.
Peformancat e nxënësve krijojnë një vallëzim harmonik, ku në çdo tingull, ndihet falënderimi, për zyshat që i ndihmuan të ngjiteshin në skenë, duke pasur se ç’të tregonin.
“Kalojnë vitet, si një film, dikur nxënëse në këtë shkollë, më pas në shkollë të mesme, më tej në akademi, edhe rikthehem sërisht si pedagoge. Tani shikoj nxënësit të rritur, sot janë kolegët tanë edhe është shumë emocionuese. I rikthehem me nostalgji çdo gjëje, shikon ish nxënësit e t’u që sot janë pedagogë edhe luajnë sot për ty, është krenari. Kjo certifikatë është mundi i punës, të edukosh në rrugën e artit, është një gjë shumë e bukur”, rrëfen Elida LLupo, ish mësues në lice.
Etydi opus i Shopenit i luajtur nga maturantja Hepi Kajca, nuk i lë mangët interpretimit të profesionistëve. Kavatina apo opera “Il turko in Italia” i Rosinit, interpretuar nga sopranoja Ulpjana Aliaj shtojnë “oreksin” për muzikën klasike.
“Vitet ikin shumë shpejt nuk e besoj që mbyllet një karrierë, edhe gjurmët që lë pas të bën të ndihesh krenarë për punën e madhe që bëhet në këtë institucion. Kur sheh fëmijët, vazhdimësinë e sukseseve dhe e arritjeve të kësaj shkollë vjen në çdo cikël duke u kurorëzuar me sukses në diplomën që ata bëjnë. Kështu ishte ideuar edhe koncerti këtu është bukur kur bashkëpunohet mësuesi me nxënësin dhe dalin bashkë në skenë”, thotë Anita Vezulli, ish mësuese në lice.
Pedagogu Erjon Kurani me një tango nga Bouvier e vokali i Ardita Menit, gjatë interpretimit të aries së Elenës nga “I vesperi siçiliani”, shtojnë ngjyrat artistike në këtë tablo mirënjohje.
“Ndihem i respektuar për faktin, jo vetëm se u vlerësua kontributi që kemi dhënë ndër vite, por jemi mes artit edhe kontribuuesve të këtij arti, edhe do të jemi gjithmonë mes tyre, edhe pse mosha bën të vetën. Besoj se më shumë se me nostalgji, do të rikthehem me kontribute”, thotë Riza Zdravi, ish mësues në lice.
Dinjitoze performanca e Resilda Meras, e pedagogia e saj Valbona Simixhiu vështirë ta fsheh krenarinë. Tingujt e kitarës së Jetmir Barunit teksa luan një prelud të Villa Lobus, por edhe pjesët e tjera, krijuan një shtrat për qetësi shpirtërore, e shpresë për të rinjtë e talentuar, në koncertin e ideuar nga pianistja Valbona Simixhiu, si premtim për të mbajtur gjallë artin e mirëfilltë në këtë 100-vjetor, të Tiranës si kryeqytet.