Foto ilustruese

Koncesionet PPP në shëndetësi, në një vit marrin 34% më shumë fonde se trajtimi i të sëmurëve me kancer! Blushi: Prioritet pasurimi i Manastirliut

27 Dhjetor 2022, 07:44| Përditesimi: 27 Dhjetor 2022, 12:24

  • Share

Kontratat koncensionare PPP kanë deformuar fondet buxhetore të dedikuara për shëndetësinë, pasi nëpërmjet tyre po financohen shërbime që nuk kanë në themel trajtimin e sëmundjeve të rënda me kosto për qytetaret dhe që shkaktojnë më së shumti fatalitete.

Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave të katër kontratat koncesionare PPP ne shëndetësi morën financime 30.8 milionë euro, në një kohë që fondet buxhetore për trajtimin e kancerit në të njëjtin vit sipas Ministrisë së Shëndetësisë ishin vetëm 23 milionë euro.

Fondet buxhetore për trajtimin e kancerit janë pak më të larta se shpenzimet për sterilizimin e sallave kirurgjikalë me kontrate PPP. Sipas të dhënave zyrtare fondet për kontratat PPP në shëndetësi në vitin 2021 ishin 34% më të larta se fondet për trajtimin e të sëmurëve me kancer në të njëjtin vit.

Teksa sëmundja ka përhapje të gjere përgjatë tranzicionit gjithashtu ka kosto të larta të trajtimit. Kjo sëmundje është e nëntrajtuar me fonde publike dhe shumë terapi të reja mjekimi inovative nuk janë përfshirë ende në listën e rimbursimit. Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën, përgjegjës për 8.2 milionë vdekje në vit, në Shqipëri humbin jetën nga kjo sëmundje 3500-3600 persona në vit.

Studimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se një e treta e këtyre vdekjeve janë të parandalueshme, dhe shumë lloje kanceri nëse zbulohen herët janë të shërueshëm. Bazuar në të dhënat e regjistrit kombëtar të kancerit, çdo vit në Shqipëri shfaqen rreth 6000 raste të reja me tumore. Ato shkaktojnë mbi 16% të të gjitha vdekjeve (shkaku i dytë kryesor pas sëmundjeve kardiovaskulare). Çdo vit prej tumoreve humbin jetën mbi 3600 persona.

Rreth 10% e vdekjeve nga tumoret janë nën moshën 50 vjec. Tumoret me të shpeshta janë tumori i mushkërive me rreth 800 raste të reja dhe tumori i gjirit me rreth 700 raste në 2018. Prirja e tumoreve në sistemin shëndetësor shqiptar ka qene ne rritje 3 gjate dekadave te fundit, kryesisht për arsye të rritjes së moshës mesatare të popullatës, por edhe për shkaqe të tjera të lidhura më stilin e jetesës apo mjedisin. Kjo prirje është shprehur sidomos ne nivelin e përdorimit të shërbimeve shëndetësorë lidhur me sëmundjet tumorale.

Prirjet në kohe te incidences për lloje të ndryshme të tumoreve nuk janë të njëjta. Kështu tumori i gjirit dhe tumori kolorektal (zorra e trashe) duket se kanë qenë në rritje, ndërkohë që tumori i stomakut apo ai i mushkërive, megjithëse tradicionalisht mjaft të shpeshtë në vendin tone nuk janë duke u rritur./Monitor

Ora 12:20
'Prioritet i qeverisë, pasurimi i Ogerta Manastirliut', Blushi: Koncensionet në shëndetësi marrin 34% më shumë fonde se trajtimi i të sëmurëve me kancer

1671281494_tediblushi1770x38612.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas lajmit se fondet për kontratat PPP në shëndetësi në vitin 2021 ishin 34% më të larta se fondet për trajtimin e të sëmurëve me kancer. Përmes një postimi në ‘Facebook’,  Blushi shkruan se prioritet i kësaj qeverie nuk është jeta e qytetarëve, por vetëm vjedhja. Ai thotë se buxheti i shtetit po shkon për pasurimin e ministres Ogerta Manastirliut dhe oligarkëve që qëndrojnë pas qeverisë.

“Po vjedhin edhe fondet për trajtimin e kancerit! Babëzia e Edi Ramës dhe bandës së “Rilindjes” nuk njeh kufij! Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave rezulton se fondet për kontratat PPP në shëndetësi në vitin 2021 ishin 34% më të larta se fondet për trajtimin e të sëmurëve me kancer në të njëjtin vit.

E thënë ndryshe 34% më shumë para nga Buxheti i Shtetit për pasurimin e Edi Ramës, Ogerta Manastirliut dhe oligarkëve pranë tyre dhe 34% më pak mundësi për një shërim sa më të shpejtë dhe trajtim cilësor të sëmundjes!

Prioritet i Edi Ramës nuk është shëndeti dhe jeta e qytetarëve! Por vetëm vjedhja dhe vjedhja papushim, deri dhe fondet e destinuara për trajtimin e sëmundjeve të rënda, që shkaktojnë më së shumti fatalitete. Edi Rama dhe banda e tij në Shëndetësi duhen shporrur sa më parë”, shkruan Blushi.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?