Shoqëria 3P Life Logistic sh.p.k, kompania e biznesmens Vilma Nushi, thotë se i qëndron akuzave që ka bërë për shpifje ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi, në lidhje me koncesionin e “Check Up”.
Përmes një deklarate për mediat, kompania akuzon deputeten Vokshi për shpifje dhe dezinformim në lidhje me deklaratat që ka bërë në cilësinë e kryetares së komisionit hetimor parlamentar për koncesionet në shendetësi.
“Referuar në Vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si palë Kallëzuese ne i qëndrojmë akuzave të bëra ndaj të kallëzuarës Albana Vokshi për veprën Penale “Shpifje e Kryer Botërisht”. Kemi bindjen se kemi mbështetur në fakte dhe prova kallëzimin e bërë ndaj Albana Vokshi, e cila në funksionin e kryetares së Komisionit Hetimor kishte në dispozicion informacionin dhe të gjitha dokumentet e nevojshme për të mos dezinformuar dhe shpifur. Theksojmë se gjatë procesit e kallëzuara dhe mbrojtja e saj cilësuan faktin se deklaratat e bëra gjatë Komisionit Hetimor kanë pasur kontekst politik duke shmangur përgjegjësinë që lind nga deklarimet e pavërteta dhe shpifjet. Ne i qëndrojmë pretendimeve tona dhe sapo të kemi Vendimin e arsyetuar të Gjykatës do të ndjekim procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në reagimin e kompanisë së Vilma Nushit.
Vilma Nushi dhe Shoqëria 3P Life Logistic sh.p.k, që ka fituar koncesionin e Check Up, e kallëzuan Albana Vokshin për veprën penale të “Shpifjes”. Koncensionari thotë se në 10 vite vlera e projektit është 63 milionë euro në total dhe jo 130 milionë euro, siç pati akuzuar Vokshi.
Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme e shpalli të pafajshme deputeten Albana Vokshi për kallëzimin për shpifje.
Komente
