GJKKO rrëzoi kërkesat për lehtësim mase dhe la në burg ish-zv ministër i Shëndetësisë Klodjan Rrjepajt dhe biznesmenin Ilir Rrapaj nën akuzë për koncesionin e sterilizimit. Në ‘Arrest shtëpie’ mbetet ish zyrtarët Saimir Kadiu dhe Marsela Serjana.
Në seancën e kësaj të hëne SPAK prezantoi veprimet hetimore të dy muajve dhe kërkoi që të arrestuarve të mos u ndryshohen masat e sigurisë. Ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë janë nën hetim për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh duke paracaktuar fituesin e koncesionit 100 milion euro për Ilir Rrapaj që akuzohet për “mashtrim me pasoja të rënda”.
Koncesioni i sterilizimit çoi pas hekurave, ish ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Ish zv.ministri do të përballet me drejtësinë me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për “mashtrim me pasoja të rënda”.
Klodian Rjepaj është i vetmi politikan i arrestuar për këtë çështje deri tani. Gjatë hetimeve të nisura më 13 janar 2020, Klodian Rrjepaj u pyet për 3 herë rresht si kryetari i komisionit të prokurimit publik. Po ashtu ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Nga ana tjetër materialet për ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj janë veçuar në një çështje tjetër, ndërsa brenda gushtit pritet të mbyllen hetimet edhe për Koncesionin e Check-Up-it. Ilir Beqja, rreth një muaj më parë u thirr në SPAK dhe u pyet nga prokurori Edvin Kondilli në lidhje me dhënien e koncesionit të sterilizimit. Beqaj, u mbajt për më shumë se 8 orë në prokurorinë e Posaçme, ndërsa ishte thirrur si një person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, e jo si i pandehur.
Koncesioni i sterilizimit
Kontrata e Partneritetit Publik-Privat parashikonte sterilizim të përsonalizuar të pajisjeve kirurgjikale një përdorimshe.
Pronari i kompaninë me seli në Prishtinë, “Investital LLC”, Ilir Rrapaj, zotëron 40 për qind të aksioneve të subjektit “SaniService” i cili në vitin 2015, fitoi koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar. Pjesa tjetër e aksioneve të kompanisë “SaniService” zotërohet nga tri subjekte, përkatësisht, SERVIZI ITALIA S.P.A, 30%, Tecnosanimed 15% dhe U.JET 15%. Mediat kanë raportuar se Rrapaj, ishte emigrant në Itali por u kthye në Tiranë pas fitores së Partisë Socialiste ku fitoi kontratën koncesionare 100 milionë euro.
Afati i koncesionit është 10 vjeçar ndërkohë bilancet vjetore të dorëzuara në QKR nga kompania fituese për periudhën 2016-2022, tregojnë se të ardhurat në formën e pagesave nga buxheti i shtetit janë 8 miliardë lekë, ose 76 milionë euro.
Masat e sigurisë
Klodjan Rjepaj- 'arrest me burg' i akuzuar për 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Ilir Rrapaj- 'arrest me burg' i akuzuar për 'Mashtrim'
Saimir Kadiu- 'arrest shtëpie' i akuzuar për 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Marsela Serjana- arrest shtëpie, e akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Arben Gjata- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Naile Ajazi- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Genc Byrazeri- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Petri Mersini- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'