Ilir Beqaj

Koncesioni i Sterilizimit, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj paraqitet në SPAK në zbatim të masës së sigurisë

24 Nëntor 2023, 15:30| Përditesimi: 24 Nëntor 2023, 17:06

  • Share

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur këtë të premte (24 nëntor) në SPAK në zbatim të masës së sigurisë "detyrim paraqitje" për koncesionin e Sterilizimit i akuzuar për shpërdorim detyre.

Sipas vendimit të GJKKO, ish- ministri Beqaj duhet të paraqitet çdo të të premte në orën 15:30 para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ish-ministri në ambientet e BKH-së qëndroi vetëm 10 minuta, ndërsa kur u largua nuk foli për mediat.

Ish ministri i Shëndetësisë pas seancës në gjykatën e Posaçme më 20 nëntor, e para pas caktimit të masës detyrim paraqitje, u shpreh se do të jetë në dispozicion të këtij procesi. Ai u ka qëndruar deklaratave të tij se nuk do të apelojë masën e sigurisë të caktuar nga GJKKO.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka urdhëruar që ish ministri i Shëndetësisë, të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore. Ilir Beqaj dyshohet të ketë kryer shpërdorim të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e Shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.

Deri tani nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?