Koncesioni i sterilizimit/ GJKKO zgjat me 1.5 muaj paraburgimin për ish-zv.ministrin Rrjepaj dhe biznesmenin Rrapaj! SPAK kërkoi 3 muaj

9 Shkurt, 14:38| Përditesimi: 9 Shkurt, 17:03

  • Share

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka zgjatur me 1 muaj e gjysmë zgjatjen e afatit të paraburgimit për ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rapaj, Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu, të katërt të arrestuar për koncesionin e sterilizimit.

GJKKO ka pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK, pasi Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar zgjatjen e afatit të paraburgimit me 3 muaj. Konkretisht paraburgimi do të zgjatet nga data 17.02.2024 deri në datën 01.04.2024.

Kujtojmë që vetëm një ditë më parë, SPAK i sekuestroi pasuritë biznesmenit Ilir Rrapaj. Bëhet fjalë për 2 kompani, 40% të aksioneve në një shoqëri tregtare, llogari bankare me vlerë 295 mijë euro, 13 makina e apartament në Vlorë.

Hetimi ndaj koncesionit të sterilizimit bën fjalë për shkeljet e pretenduara nga SPAK, në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. 

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 06.02.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zgjatjen e afatit të paraburgimit me tre muaj për personat nën hetim Klodian Rjepaj, Ilir Rrapaj, Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 264 pika 2 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 95, datë 09.02.2024, vendosi:

1)      Pranimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2)      Zgjatjen e afatit të paraburgimit për një periudhë 1 (një) muaj e 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, për personat nën hetim Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu, duke filluar ky afat nga data 17.02.2024 deri në datën 01.04.2024.

3)      Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?