Sot u mbajt Konferenca V e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë “Bankat qendrore dhe historia ekonomike: Reflektime dhe perspektiva”. Në fjalën e tij, guvernatori Gent Sejko theksoi rëndësinë historike të institucionit që drejton, duke përmendur se idetë për një bankë kombëtare u hodhën që pas shpalljes së Pavarësisë.
Sejku vuri theksin te integrimi i Bankës në institucione ndërkombëtare si FMN-ja dhe Banka Botërore, që shënoi një pikë kthese dhe hodhi themelet për reformat e tregut dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Sot, Banka e Shqipërisë ruan me përgjegjshmëri stabilitetin e çmimeve, atë financiar dhe të makroekonomisë. Politikat e saj bazuar në të dhëna, analiza dhe kërkime, janë të përafruara me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në funksion të shërbimit ndaj publikut.”, u shpreh Sejko.
Sejko nënvizoi edhe rolin e rëndësishëm të bankës në rrugën evropiane të Shqipërisë, me përafrimin e politikave dhe praktikave të saj me standartet evropiane. Ai shprehu përkushtimin e palëkundur për thellimin e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare në kuadër të këtij procesi.
“Rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian ka qenë një shtyllë qendrore e reformave institucionale dhe ekonomike. Banka e Shqipërisë luan një rol tepër të rëndësishëm në këtë proces, duke përafruar politikat dhe praktikat e saj me standardet evropiane me synim forcimin e qëndrueshmërisë, transparencës dhe reziliencës së nevojshme për anëtarësim. Me vështrimin drejt së ardhmes, përkushtimi ynë mbetet i palëkundur: të forcojmë gatishmërinë institucionale, të thellojmë bashkëpunimin rajonal dhe të sigurojmë që sistemi financiar i Shqipërisë të jetë i përgatitur për të përballuar sfidat dhe për të përfituar nga mundësitë e një të ardhmeje të integruar evropiane.”, theksoi Sejko.
Duke u ndalur te sfidat dhe mundësitë e reja, guvernatori shtoi se “monedhat digjitale, rreziqet klimatike, inteligjenca artificiale dhe inovacioni financiar, po transformojnë peizazhin financiar global”.
“Shqipëria nuk bën përjashtim. Dekadat e ardhshme do të kërkojnë shkathtësi, largpamësi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë. Duhet të vazhdojmë të forcojmë kapacitetin tonë institucional, jo vetëm për të përmbushur mandatin tonë kryesor, por edhe për të mbështetur stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.”, shtoi Sejko.
Fjala e plotë:
Të nderuar kolegë, studiues dhe miq,
Është kënaqësi e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë aktivitet të rëndësishme, që kremton 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë. Konferenca e sotme nuk përfaqëson vetëm një ngjarje ceremoniale, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin e një prej institucioneve themeltare të shtetit tonë, si dhe më gjerë mbi udhëtimin e ekonomisë, identitetit dhe zhvillimit institucional të Shqipërisë e rajonit.
Ideja e krijimit të një banke kombëtare shqiptare u formulua për herë të parë nga një prej mendimtarëve më largpamës tanë, Sami Frashërit. Në manifestin e tij politik të vitit 1899, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?” Frashëri shkruante për një shtet shqiptar sovran, të themeluar mbi institucione të forta. Ndër to, një autoritet qendror monetar konsiderohej prej tij si thelbësor për stabilitetin dhe përparimin kombëtar. Kjo ide, e lindur në kohë trazirash në Ballkan, është pjekur përgjatë një shekulli të karakterizuar fillimisht nga paqëndrueshmëria, por edhe rindërtimi e reformat.
Historia e bankës qendrore në Shqipëri pasqyron evolucionin e vetë vendit, me tre faza të dallueshme, të formësuara nga sisteme politike dhe ekonomike të ndryshme.
Megjithëse pa vijimësi, përpjekja e parë për themelimin e një banke kombëtare u krye në vitin 1913, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Ismail Qemal Vlora, babai i Pavarësisë sonë, e konsideronte atë si institucionin e dytë më të rëndësishëm të shtetit të ri, pas Aktit të Pavarësisë. Ambicia e Ismail Qemalit u realizua në vitin 1925, me themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipnis. E ndërtuar sipas modeleve të bankave qendrore evropiane dhe nën administrim italian, ajo emetoi monedhën e parë kombëtare, duke funksionuar mbi bazën e standardit të arit dhe kryer njëkohësisht detyra bankare qendrore dhe tregtare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, themelimi i Bankës së Shtetit Shqiptar pasqyroi kalimin në një ekonomi të planifikuar. Përpara se të ndiqte një rrugë izolimi pothuajse total, në këtë periudhë, Shqipëria lidhi disa aleanca, së pari me Jugosllavinë, më pas me Bashkimin Sovjetik dhe në fund me Kinën. Banka qendrore funksionoi brenda një sistemi të mbyllur për gati pesë dekada, duke emetuar monedhë, menaxhuar aktivitet financiar të kufizuar dhe duke zbatuar politika në një ekonomi të shkëputur nga tregjet globale.
Kapitulli i tretë nisi në fillim të viteve ’90, me tranzicionin demokratik dhe krijimin e Bankës së Shqipërisë, si një institucion modern dhe i pavarur. Integrimi ynë në institucione ndërkombëtare si FMN-ja dhe Banka Botërore shënoi një pikë kthese, duke hedhur themelet për reformat e tregut, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rrugën drejt integrimit evropian. Sot, Banka e Shqipërisë ruan me përgjegjshmëri stabilitetin e çmimeve, atë financiar dhe të makroekonomisë. Politikat e saj bazuar në të dhëna, analiza dhe kërkime, janë të përafruara me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në funksion të shërbimit ndaj publikut.
Me kalimin e kohës, Banka ka vepruar nën thuajse të gjitha regjimet monetare, nga standardi i arit, te planifikimi i centralizuar, shënjestrimi monetar dhe ai i inflacionit. Përmes çdo tranzicioni, ajo ka treguar pragmatizëm dhe profesionalizëm, gjithmonë me synimin për të shërbyer si forcë stabilizuese në kohë pasigurie.
Ky evolucion është mundësuar edhe nga kontributet e njerëzve, ekonomistëve, nëpunësve civilë, studiuesve dhe madje edhe artistëve, ekspertiza dhe përkushtimi i të cilëve kanë formësuar identitetin e Bankës. I jemi mirënjohës punës së tyre të shkëlqyer në ngritjen e institucionit. Po aq mirënjohës i jemi edhe studiuesve që kanë punuar për dokumentimin e këtij rrugëtimi, si për shembull: ekonomistit të shquar Haxhi Shkoza; shkrimtarit të nderuar, akademikut dhe ish-drejtorit të Bankës Dhimitër Pasko; Profesor Aristotel Panos, i cili ka bashkëkuruar me ne seksionet e shekujve XX dhe XXI të muzeut të Bankës dhe ka hartuar historinë zyrtare të Bankës së Shqipërisë për këtë 100-vjetor; Profesor Iljaz Fishtës dhe Profesor Kristo Frashërit, së bashku me shumë të tjerë që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për shkrimin e historisë së bankingut shqiptar.
Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u zbuluar. Në tre vitet e fundit, në kuadër të këtij përvjetori, ekipet tona të muzeut dhe kërkimit kanë zbuluar diskutime të brendshme institucionale, vendime politike dhe dimensione kulturore që ende qëndrojnë të fshehura në arkiva ose të shpërndara nëpër botime të kohës. Jemi të përkushtuar të ruajmë dhe ta zgjerojmë këtë kujtesë institucionale sepse kuptimi i së kaluarës forcon vendimet që marrim për të ardhmen.
Rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian ka qenë një shtyllë qendrore e reformave institucionale dhe ekonomike. Banka e Shqipërisë luan një rol tepër të rëndësishëm në këtë proces, duke përafruar politikat dhe praktikat e saj me standardet evropiane me synim forcimin e qëndrueshmërisë, transparencës dhe reziliencës së nevojshme për anëtarësim. Me vështrimin drejt së ardhmes, përkushtimi ynë mbetet i palëkundur: të forcojmë gatishmërinë institucionale, të thellojmë bashkëpunimin rajonal dhe të sigurojmë që sistemi financiar i Shqipërisë të jetë i përgatitur për të përballuar sfidat dhe për të përfituar nga mundësitë e një të ardhmeje të integruar evropiane.
Këto sfida apo mundësi të reja, si monedhat digjitale, rreziqet klimatike, inteligjenca artificiale dhe inovacioni financiar, po transformojnë peizazhin financiar global. Shqipëria nuk bën përjashtim. Dekadat e ardhshme do të kërkojnë shkathtësi, largpamësi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë. Duhet të vazhdojmë të forcojmë kapacitetin tonë institucional, jo vetëm për të përmbushur mandatin tonë kryesor, por edhe për të mbështetur stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
Për këto arsye konferenca si këto janë të rëndësishme. Duke bërë bashkë historianë, muzeologë, studiues dhe ekonomistë, shkëmbejmë këndvështrime të reja mbi mënyrën si evoluojnë institucionet monetare, si vendimmarrja monetare formëson rezultatet, dhe si fitohet e ruhet besueshmëria. Kjo konferencë nuk studion vetëm të kaluarën. Ajo synon të parashtrojë edhe pyetjet e duhura për të ardhmen.
Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë diskutim të vazhdueshëm. Pres me padurim të lexoj reflektimet dhe hulumtimet tuaja, dhe kapitujt e ardhshëm që do të shkruajmë së bashku.
Komente
