Ahmetaj: Tenderët në dorë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit! Donatorët të drejtë vote, audit kurdo ta kërkojnë (VIDEO)

19 Shkurt 2020, 18:33| Përditesimi: 19 Shkurt 2020, 23:44

  • Share

TIRANË - Në procesin e rindërtimit që pritet të zgjasë me vite, donatorët do të jenë pjesë e të gjithë rrugëtimit, jo vetëm si vëzhgues të shpërndarjes me transparencë të donacioneve të mbledhura në Bruksel, por dhe me status vote. Ministri i Shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj tha ekskluzivisht në Report Tv, se donatorët janë të ftuar në qeveria për të marrë pjesë në Komisionin Shtetëror të Ndërtimit me të drejtë vote, vendimet e të cilit më tej shkojnë për votim në Këshillin e Ministrave. 

Një institucion i certifikuar ndër vite nga donatorët, siç është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, do të jetë zbatuesi i të gjithë procesit, atij më të rëndësishmit, prokurimit publik ndërkombëtar për kompanitë shqiptare dhe të huaja që do të vihen në garë për rindërtimin. Ministri Ahmetaj tha se për zonën e Tiranës, njësia zbatuese është Bashkia e Tiranës. 

Nga 1.15 miliardë euro të mbledhura për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve "Së bashku për Shqipërinë" organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, afro 300 milionë euro janë grante, ndërsa 850 milionë euro janë kredi të buta. Ministri Ahmetaj tha se kreditë do të shlyhen në rreth 30 vite nëpërmjet taksave të qytetarëve, me interesa në çdo rast nën 2.25 %, por që mund të arrijnë edhe në 1 % siç është interesi për shlyerjen e huasë nga banka islamike.

Nga kjo vlerë që Shqipëria mori në Bruksel, më e madhja dhënë për shtetet e prekura nga fatkeqësi natyrore, 700 milionë euro do të shkojnë për rindërtimin. Konkretisht, - tha Ahmetaj - rreth 300 milionë euro (që janë grantet e dhuruara në Bruksel) do të shkojnë për riparimin e shtëpive, ndërsa 400 milionë euro nga donacionte, do të shkojnë për rindërtimin nga e para të banesave që do të duhet të shemben. Dëmi i llogaritur për shtëpitë është 696 milionë euro. 

Për donatorët, rindërtimi mund të zgjasë deri në 3 vjet - tha ministri Ahmetaj - ndërkohë që në konceptin e qeverisë shqiptare, rindërtimi mund të zgjas 2 vite, "për shkak se ne kemi tjetër sens emergjence për qytetarët" - theksoi ministri i Shtetit për Rindërtimin.

Ora 19:20
Në prill do hidhen themelet e para të rindërtimit, gati Thumana, Laçi (nga qeveria turke) dhe Shijaku! Ahmetaj: Shpejt hapet gara (VIDEO)

Qeveria ka në dorë tre projektet për të vënë në jetë blloqet e para të banimit. Thumana, zona ku do të ndërtojë qeveria turke në Laç, dhe Shijaku, do të jenë të parat që në mes ose në fund të prillit, të nisin nga puna në terren për të pasur imazhin e parë konkret, të zbatuar, të shtëpive të rindërtuara pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

I ftuar në studion e Report Tv, ministri i shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj, tha se Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës, që janë njësitë zbatuese të rindërtimit, do të përgatiten për prokurimin ndërkombëtar.

"Kemi në dorë tre tipologji brenda një modeli, për njësitë individuale, e kemi sot modelin zyrtarisht, sot ato përgatiten për prokurim ndërkombëtar. Duke ju referuar procedurës në mes të prillit, ose fundi i prillit, do të shohim njësitë individuale të vendosen në territor, aty ku janë shembur.  Më 24 prill është dita kur bashkia e Tiranës do përfundojë vlerësimin e thelluar, ndërkohë po vazhdon aplikimi në platformën elektronike. Pas datës 28 fillon vlerësimi i çdo dosje, do dalin konkluzionet nga komisionet e bashkive. Ndërkohë më 27 shkurt, dalin tre master planet e para, i Thumanës, i zonës ku do ndërtojë qeveria turke, dhe Shijaku", u shpreh ministri i shtetit për rindërtim, Arben Ahmetaj.

Ora 19:14
Ahmetaj: I ftuam donatorët, do të kenë të drejtë vote! Çdo prokurim ndërkombëtar do jetë i hapur (VIDEO)

I ftuar në Report Tv, ministri i shtetit për Rindërtimin, tha se i gjithë programi për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit, do t'i nënshtrohet të gjitha rregullave të auditimit. Do të jenë auditues të brendshëm, Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe vetë donatorët. Ahmetaj zbuloi në Report Tv, se donatorët jo vetëm do të kenë mundësi të marrin pjesë në Komisionin Shtetëror të Ndërtimit, por do të kenë edhe të drejtë vote në vendimmarrje. Ndërkohë që çdo thirrje  për prokurorim ndërkombëtar do të jetë publike dhe transparente tha Ahmetaj.

"Mekanizmat e monitorimit do të jenë të panegociueshme. Ky është një program buxhetor dhe i nënshtrohet të gjitha rregullave të auditimit publik, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, dhe nga donatorët dhe çdo program e projekt, dhe nëse vendosin i gjithë programi është i auditueshëm nga donatorët, kurdo ta kërkojnë. Mos harroni që janë gati 300 milionë euro janë para të dhuruara, nuk janë kredi, dhe i kanë marrë nga tatim paguesit e tyre dhe ne kemi detyrim që së bashku me ta të kemi në dritën e transparencës se ku shkon çdo cent.

Në Komisionin Shtetëror të Ndërtimit, është Këshilli i Ministrave që vendos zonat, alokimin e fondit, njësitë zbatues. Në atë komision (Shtetëror të Ndërtimit) ne kemi marrë vendim të ftojmë donatorët, të jenë në daç status votuesi, në daç vëzhguesi. Ky është një program që do të bëhet së bashku me donatorët.

Do kemi donatorët në çdo vendimmarrje. Çdo prokurim do jetë ndërkombëtar i hapur, në sytë e të gjithë qytetarëve dhe donatorëve. Sapo do të hapet një proces do lajmërohen të gjitha shoqatat e biznesit në Shqipëri, dhoma e tregtisë italiane, amerikane gjermane, ambasadat, dhe do të botohet në website. Do të ketë thirrje publike. Unë do komunikoj publikisht ku do them Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës në këtë datë hapin këtë procedurë ndërkombëtare, ju lutem të marrin pjesë sa më shumë kompani...", shpjegoi Ahmetaj.

Ora 19:03
Ahmetaj në Report Tv: 300 milionë euro grante, 850 milione kredi e butë, ja sa janë interesat dhe për sa kohë do të shlyhen (VIDEO)

Ministri i shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se nga 1.15 miliardë euro të mbledhura në Konferencën e Donatorëve, 295-300 milionë euro janë grante, ndërsa 850 milionë është kredi e butë të cilat do të shlyhen deri në 30 vite me interesa të vogla. 

"Qytetarët shqiptarë do paguajnë ndër 30 vite nëpërmjet taksave të tyre. Kreditë që do merren për rindërtimin. Interesi do të jetë në çdo rast nën 2.25 %. Mund të ketë edhe në 2%, apo 1% nga banka islamike", u shpreh ministri Ahmetaj në studion e Report Tv.

Ora 18:43
Ahmetaj: 400 milionë euro nga donacionet do shkojnë për rindërtimin e shtëpive! Gati modelet e para (VIDEO)

400 milionë euro do të jetë vlera e donacioneve që do të shkojë për rindërtimin e shtëpive, ndërkohë që gati 250-300 milionë euro, do të shkojnë për riparimin e shtëpive.

"Nuk jam në gjendje t'iu them me cent sa do të shkojnë për shtëpitë, nuk mund ta them, kur të ketë procedurat ndërkombëtare të prokurimit, fondet limite mund të dalin edhe me kursime, për shkak të procesit të hapur ose garës. Për shtëpitë do të ketë një shumë gati 400 milionë euro, vetëm për rindërtimin. Për riparimin është pjesa e granteve, prej gati 250- 300 milionë euro. Dëmi për shtëpitë është përllogaritur 696 milionë euro. Gjithë dëmi do të kurohet në lotin e madh të rindërtimit të shtëpive, dhe të riparimit të shtëpive. Janë të panegociueshme për t'u bërë dhe do të bëhen", tha Ahmetaj.

Ministri i shtetit për rindërtimin tha se Enti Kombëtar i Banesave ka bërë gati modelin e njësive individuale që do t'i kalojnë njësive zbatuese, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Tiranës për të hapur procedurat ndërkombëtare të prokurimit. "Janë mbi 3500 njësi që rezultojnë për t'u shembur, por pas gjithë kësaj shifre ka dhe vazhdon të ketë një proces të vlerësimit të thellimit, ku prezente është edhe prokuroria", tha Ahmetaj.

Dy njësitë zbatuese të të gjithë procesit do të jenë ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe Bashkia e Tiranës, institucione certifikuar nga donatorët.

"Ministria e Shtetit për rindërtimin, koordinon, proceson dhe monitoron ekzekutimin e bëjnë institucione të tjera, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe Bashkia e Tiranës, janë autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave të jenë njësitë zbatuese. Sot kaluam një vendim qeverie, ku autorizojmë të dy si njësitë zbatuese për shkollat, që do të riparohen, në koncept rikonstruksioni të thellë. Ato që do shemben do rindërtohen më mirë seç kanë qenë. Në finale do jenë më mirë seç kanë qenë. Do futen edhe elementë të rinj urbanistik apo të rehatisë për nxënësit e studentët", u shpreh Ahmetaj.

Ora 18:40
I kujt ishte suksesi i shumës 1.15 miliardë euro mbledhur në Bruksel?! Përgjigjet Ahmetaj (VIDEO)

Për ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj, suksesi i shumës 1.15 miliardë euro mbledhur për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve "Së bashku për Shqipërinë" në Bruksel, ishte i kryeministrit Edi Rama.

"Suksesi më lejoni ta them pa modesti është i kryeministrit për shkak të sjelljes që ka treguar që nga mëngjesi i 26 nëntorit, ditë dhe natë me të gjithë ata që humbën njerëz të dashur dhe që humbën edhe shtëpitë, kujdesin që u tregua në vazhdimësi, që nga strehimi, dhe kujdesi për të treguar me emergjencë atë fatkeqësi, ne nuk jemi shtet i pasur, pro të krahasosh përgjigjen e strukturave, ka qenë e lavdërueshme, pjesa e kryeministrit po e po, gjithë strukturat e shtetit kanë pasur një përgjigje të motivuar, thellësisht emocionale, të kujdesshme, e pastaj administrative", tha Ahmetaj.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ymeri: 20/02/2020 18:29

    NUK MUND TE filloje rindertimi arben ahmetaj ,,,pa mbaruar me pare shkatarrimi I 1 milion shtepive pa leje ne kenete -durres,,dhe perreth durresit,krujes,lacit,tiranes,,,pasi ti kesh bere rrafsh keto 1 milion shtepi ,,,atehere mund te behen planet minister per te bere lagje te reja me planimetri e urbanistike estetike,,,,,ndryshe e kemi zevendesuar mutin me shurre.

    Përgjigju
  • Ayja: 19/02/2020 20:57

    Fondi ne fjale eshte super i korruptuar.Mjafton te shohesh vilen miliona euroshe dhe e kupton se sa vjedh ky fond

    Përgjigju
  • One: 19/02/2020 20:33

    Hajdut maskarenj se na turperoni cdo dite me marifetet tuaja. Mos na trego auditet hajdut me cizme. Shkoni shtrini doren neper bote, pastaj e tregoni si triumf dhe duke ju ditur te kaluaren do lini nam duke vjedhur :(

    Përgjigju
  • Pyka: 19/02/2020 19:13

    Arben,kujdes...për ty thonë se i ke qejf eurot!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?