Albin Kurti dhe Stuart Peach

Konferenca e Mynihut/ Kurti takon të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar, diskutojnë për zhvillimet dhe sfidat rajonale

19 Shkurt 2023, 10:15| Përditesimi: 19 Shkurt 2023, 10:21

  • Share

Për zhvillimet dhe sfidat rajonale kanë diskutuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Takimi u zhvillua në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë, njoftoi zyra e kryeministrit.

“Kryeministri Kurti falënderoi Peach për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në zhvillimin dhe proceset integruese të saj, dhe rolin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e 19 shkurtit.

Gjatë ditës së djeshme, Kurti takoi përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim, sipas kryeministrisë, u diskutua për procesin e dialogut dhe propozimin evropian dhe "për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”.

Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol gjithashtu në Mynih të Gjermanisë në takimin mes Kurtit dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?