Antonio Guterres

Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike/ Guterres – liderëve botërorë: Paguani ose përballuni me fatkeqësitë nga klima

12 Nëntor, 16:12| Përditesimi: 12 Nëntor, 16:18

  • Share

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të martën u bëri thirrje liderëve botërorë që të vendosin financimin për klimën si prioritet dhe paralajmëroi se dështimi për të adresuar “borxhin klimatik” do të ketë pasoja të rënda për njerëzimin.

“COP 29 duhet të shembë barrierat e financimit për klimën,” tha Guterres gjatë fjalimit të tij në Samitin e Veprimit për Klimën të Liderëve Botërorë (WLCAS), të mbajtur në Baku si pjesë e COP29.

“Nuk ka kohë për të humbur. Për financimin e klimës, bota duhet të paguajë, përndryshe njerëzimi do të paguajë çmimin. Financimi për klimën nuk është bamirësi. Është një investim. Veprimi për klimën nuk është opsional. Është një domosdoshmëri,” tha ai.

Duke theksuar se koha për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius po mbaron, Guterres vuri në dukje se 2024 është ka gjasa të shënohet si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, pas ditëve dhe muajve më të nxehtë të regjistruar deri tani.

“Koha nuk është në anën tonë,” tha ai.

Kreu i OKB-së përmendi dëmet e mëdha që i janë shkaktuar komuniteteve, infrastrukturës dhe fëmijëve nga katastrofat natyrore të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike, duke thënë: “Të gjitha këto katastrofa dhe më shumë janë duke u përkeqësuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Dhe asnjë vend nuk është i përjashtuar.”

Guterres theksoi padrejtësinë e ndikimeve të ndryshimeve klimatike, duke shpjeguar se “të pasurit e shkaktojnë problemin, të varfrit paguajnë çmimin më të lartë.

Sipas Oxfam, miliarderët më të pasur emetojnë më shumë karbon në një orë e gjysmë sesa një person mesatar gjatë gjithë jetës së tij.”

“Nëse emetimet nuk bien ndjeshëm dhe përshtatja nuk rritet, çdo ekonomi do të përballet me pasoja shumë më të mëdha,” paralajmëroi ai.

Megjithatë, ai përmendi si shenjë shprese përparimin e fundit, duke vënë në dukje se investimet në energjinë e rinovueshme dhe rrjetet e energjisë tejkaluan për herë të parë investimet në lëndët djegëse fosile vitin e kaluar.

“Pothuajse kudo, energjia diellore dhe ajo e erës janë burimet më të lira të energjisë së re elektrike. Prandaj, dyfishimi i përkushtimit ndaj lëndëve djegëse fosile është absurd,” tha Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi nevojën për të ulur emetimet globale me 9% çdo vit dhe për të arritur një rënie prej 43% nga nivelet e vitit 2019 deri në vitin 2030.

Ai gjithashtu nënvizoi përgjegjësinë e G20 për të udhëhequr luftën kundër krizës klimatike, ndërsa konfirmoi angazhimin e OKB-së për të ofruar mbështetjen e nevojshme.

Sipas mediave, në samit nuk janë të pranishëm udhëheqësit e vendeve më të fuqishme, përfshirë ata nga 13 shtetet të cilat konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj, përgjegjës për mbi 70 për qind të gazeve të çliruara që shkaktojnë efektin serrë.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?