Ministri i Shtetit për Evropën, Michael Roth dhe kolegët e tij slloven e portugez, përkatësisht Gašper Dovžan dhe Ana Paula Zacarias kanë zhvilluar një takim virtual ku kanë diskutuar lidhur me fushat më të rëndësishme të politikës së Presidencës së Këshillit të Gjermanisë dhe ndjekja e tyre edhe nga dy presidencat e radhës, ajo e Portugalisë dhe Sllovenisë.
Për të konfirmuar vijimin e axhendës së Presidencës Gjermane të Këshillit të BE-së, të tre ministrat kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku përfshihet edhe puna për mbajtjen e konferencave ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE.
Në deklaratë kërkohet që palët të përqendrohen te negociatat dhe kompromisi, në mënyrë që të marrin dritën jeshile nga BE.
“Zgjerimi i BE është një çështje tjetër qendrore e Presidencës Trio. Tre partnerët e BE po punojnë drejt hapjes së konferencave të para për pranimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Edhe këtu, cilido vend që mban Presidencën e Këshillit duhet të angazhohet në negociata të vazhdueshme dhe shpesh komplekse për të bërë përparim, veçanërisht për çështjet që kërkojnë kompromis”.
Gjermania është shprehur skeptike për mbajtjen e tyre deri në fund të vitit, pasi Shqipëria nuk ka përmbushur kushtet dhe Maqedonia e Veriut nuk ka zgjidhur ende mosmarrëveshjet me Bullgarinë.
Ndërkohë që trë dy ministrat e vendeve që do të mbajnë presidencën e BE në 2021 shprehën angazhim për të vazhdiar me nismat e marra më parë.
”Në agjendën e Presidencës që do të vijojnë të ndiqen nga Portugalia dhe Sllovenia janë edhe çështjet: Promovimi i shtetit të së drejtës, vijimi i dialogut të nisur në 13 tetor, nën presidencën gjermane, diskutim horizontal në nivelin e BE-së”, thuhet në deklaratë.
Konferencat ndërqeveritare ishin planifikuar të mbahen brenda 2020, por vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut dhe mosplotësimi i kushteve nga Shqipëria ka bërë që mbajtja e tyre të shtyhet.