Emmanuel Macron dhe Donald Trump, 24 shkurt 2025

Bota

Konferenca/ Trump: Kam folur me Zelenskyn dhe Putinin, po ndodhin shumë gjëra pozitive! Macron: Paqja s'mund të nënkuptojë dorëzimin e Kievit

24 Shkurt, 21:54| Përditesimi: 24 Shkurt, 22:31

  • Share

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti francez Emmanuel Macron zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutuan për luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Gjatë konferencës, Trump konfirmoi se ka zhvilluar biseda me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologun rus Vladimir Putin.

“Kam folur me Zelenskyn dhe Putinin, po ndodhin shumë gjëra të mira,” tha ai.

Presidenti amerikan shtoi se fokusi kryesor i administratës së tij është arritja e një armëpushimi të menjëhershëm, duke theksuar: “Objektivi ynë është të arrijmë një armëpushim tani dhe më pas përfundimin e konfliktit. Macron është dakord që ky është momenti i duhur, ndoshta i vetmi, për t’i dhënë fund luftës.”

Nga ana e tij, Macron theksoi rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit të Ukrainës.

“Populli ukrainas ka rezistuar. Ukraina duhet të mbetet një shtet sovran. Nuk mund të lejojmë një botë ku forca prevalon mbi të drejtën. Këtë ua kemi borxh familjeve ukrainase. Tani kemi nevojë për një paqe të qëndrueshme,” deklaroi ai.

Macron paralajmëroi gjithashtu se zgjidhja e konfliktit nuk mund të vijë në formën e një dorëzimi nga ana e Kievit.

“Kjo paqe nuk mund të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës,” theksoi ai, duke paralajmëruar kundër një bote ku “ligji i më të fortit” është normë.

Duke vënë theksin te përgjegjësia e Bashkimit Evropian, Trump deklaroi: “Evropa duhet të ketë një rol qendror në sigurimin e një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë. Macron është dakord që kostoja dhe detyrimet duhet të mbulohen nga BE-ja.”

Në këtë kontekst, presidenti francez kërkoi garanci nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e Evropës nëse vendos të dërgojë paqeruajtës në Ukrainë.

“Kemi nevojë për mbrojtjen e SHBA-së në rast të vendosjes së trupave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë,” tha Macron.

I pyetur nëse SHBA do të angazhohet në rindërtimin e Ukrainës pas luftës, Trump theksoi ndihmën e konsiderueshme që Uashingtoni ka dhënë deri tani.

“Kemi dhënë tashmë 350 miliardë dollarë, është një kontribut i madh,” tha ai.

Në vijim të konferencës, Macron sugjeroi se është koha për të shqyrtuar mundësinë e rivendosjes së kontakteve me Moskën.

“Ka arsye të forta për të rindërtuar dialogun me Putinin,” deklaroi ai.

Edhe Trump pranoi se ka “arsye të mira” për të ripërtërirë komunikimin me liderin rus, duke lënë të hapur mundësinë për negociata të mëtejshme midis Moskës, Uashingtonit dhe aleatëve evropianë.

Ky takim nënvizon përpjekjet e liderëve perëndimorë për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti, me një përqendrim të shtuar te përgjegjësia evropiane për sigurinë dhe diplomacinë e drejtpërdrejtë me Rusinë.

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?