Himni shqiptar i Flamurit ngre siparin e Konferencës Ndërfetare “Vëllazëria në Humanizëm”. Pjesëmarrja e liderëve të komuniteteve të ndryshme fetare reflekton edhe njëherë harmoninë vendase në religjion...
Kryefjalë e kësaj konferencë është përhapja e kulturës së harmonisë fetare sikundër e kërkon edhe marrëveshja e firmosur në 4 shkurt të vitit 2019 mes Papa Françeskut dhe Imamit të Madh të AL-Azhar, Al-Tayeb rreth “Vëllazërisë njerëzore për paqen botërore dhe bashkëjetesën e përbashkët”.
“Dëshira ime lidhur me këtë çështje është ,që kjo marrëveshje të bëhet objekt studimi në Shqipëri, ku individualizmi dhe filozofitë materialiste përparojnë në mënyrë të pakontrolluar me pasojë humbjen e vlerave laike, karakteristik e popullit shqiptar”, u shpreh Mons. Angelo Massafra, Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore.
Pastori Ylli Doçi, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore në fjalën e tij hodhi sytë nga dy momente kyçe të se kaluarës për religjionin: Paqja e Augsburg në vitin 1555 që përhapte doktrinën e krishterë si dhe Paqja e Vestfalisë në vitin 1648, që legjitimonte pluralizmin e feve. Me tolerancën fetare të trashëguar si dhe konvertimin e lirë fetar. Shqipëria sipas tij e ka arritur paqen vestfaliane para Vestfalisë, por sot duhet të dijë të mbrohet nga risqet e mundshme:
“Vespalia shqiptare përdoret vetëm për propagandë politike dhe nuk kuptohet. Prej faktit që nuk kuptohet nuk dihet si mund të ruhet dhe se si duhet të kultivohet . Ne kemi marrë përsipër të organizojmë një sërë simpoziumesh dhe konferencash për të kuptuar ato vera që kanë krijuar harmoninë dhe për ta ruajtur nga erërat që fryjnë furishëm për shkak të internetit dhe zhvendosjeve, emigrimit”, u shpreh pastori.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, tha se të tilla takime ndikojnë në frenimin e tentativave të vazhdueshme për të instrumentalizuar fenë dhe bëri një apel.
“Apeli im kryesor është për politikën, të investojnë në arsim! Vetëm arsimi dhe edukimi cilësor është zgjidhja e këtyre çështjeve”, u shpreh ai.
Gjatë takimit Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahimaj, solli në vëmendje faktin se për tolerancën fetare në Shqipëri ka folur edhe vetë Papa Françesku gjatë vizitës së tij.
Ndërsa Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Anastas Janullatos, u shpreh se krahas tolerancës fetare nevojitet që të bashkohen zërat për të ndihmuar ata që më shumë kanë nevojë. Në vazhdë të kësaj, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, tha se Shqipëria kishte treguar shembullin e saj, qysh me ndihmesën që u bëri hebrenjve gjatë terrorit nazist e deri në ditët e sotme.
“Ne vetëm mund të shprehim admirimin tonë më të madh dhe vlerësimin për atë që keni bërë, për ata që kanë nevojën më të madhe, e që po arratisen nga brutaliteti në Aganisan”, u shpreh ambasadorja.
Ndërsa presidenti arbëresh i Këshillave Ndërfetarë të Europës. Luigi De Salvia, shprehu krenarinë e tij, që Shqipëria si mëmëdheu i tij i dytë i jep një shembull të tillë botës. Ruajtja e një harmonie të tillë ndërfetare, shembull edhe për vendet e tjera u bë motiv edhe i fjalës së Nuncit Apostolik në Tiranë,Imzot Luigi Bonazzit.