Konferencë për ndryshimet klimatike/ Raporti i BE: Cilësia e ajrit në Ballkan, jashtë normave! 2.6% e tokës të përdoret për bujqësi organike, synojmë 25%

28 Qershor 2022, 21:59| Përditesimi: 29 Qershor 2022, 11:39

  • Share

TIRANË- Zyrtarë të ndryshëm, dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian mbajtën sot në Tiranë, konferencën me temë "Statusi i mjedisit dhe klimës në Ballkanin Perëndimor", në të cilën prezantuan raportin për vitin 2021. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u shpreh se ndryshmet klimatike mbetet çështja më serioze me të cilat përballet e gjithë bota.

"E ardhmja e iniciativave të mjedisit nuk varet vetëm në mënyrën se çfarë ndikimi do të ketë kjo çështje tek Shqipëria. Në këtë botë që është kaq e ndërlidhur, çfarë ndodh në Shqipëri apo vende të tjera si Shqipëria, do të ndikojnë patjetër, do të influencojnë edhe vende të tjera evropiane. Kjo gjë është kaq e qartë", tha Kumbaro.

Kumbaro u shpreh se po përpiqen që të krijojnë modele të qëndrueshme të zhvillimit dhe kanë vendosur kohët e fundit që të zgjerojnë zonat e mbrojtura.

Ndërsa Komisionerja e BE-së për Inovacionin, Mariya Gabriel, tha se për mbrojtjen e tokës, duhen disa veprime më koherente..

“Ndotja nuk njeh kufi dhe ne nuk mund të arrijmë objektivat për zero ndotje në Bashkimin Evropian pa të gjitha përpjekjet e të gjitha vendeve. Duke patur parasysh të gjithë Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë edhe ndërlidhjen e fortë që ekziston ndërmjet ekosistemeve të ndryshme, në rajon është thelbësore që ne të fuqizojmë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe të përfshijmë gjithë aktorët për përpilim e politikave mjedisore",  tha Gabriel.

Aktiviteti u organizua në kuadër të takimit rajonal mbi Kulturën, Kërkimin, Inovacionin dhe Arsimin, nën kujdesin e Komisionit Evropian, Presidencës franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe disa ministrive të Shqipërisë.

Autorët paralajmërojnë se cilësia e ajrit në Ballkanin Perëndimor është ende jashtë parametrave, duke rritur mundësinë që sëmundjet që lidhen me ndotjen, të  vijonë të shtohen nëse nuk ndërmerren masat e duhura. Raporti shqyrtoi gjithashtu gjendjen e dherave në rajon, me rezultate shqetësuese sipas të cilave një e treta e gjithë tokës bujqësore mund të bëhet e papërdorshme nga erozioni ujor. Vetëm 2.6% e sipërfaqes bujqësore përdoret për bujqësi organike, shumë larg objektivit të BE-së prej 25%. Miratimi i acquis të BE-së është një detyrim për vendet në kuadër të “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit” dhe është i detyrueshëm për anëtarësimin.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?