Konfindustria propozon rindërtimin e portofoleve ministrore të qeverisë Rama 3.
Në një reagim të shpërndarë për median Konfederata e Industrive të Shqipërisë e drejtuar nga Gjergji Buxhuku argumenton se organizimet e brendshme të portofoleve më të rëndësishme ministrore të tashme janë ndërtuar me përplasje të qartë interesash, që ulin ndjeshëm efektivitetin e punës dhe krijojnë kushte për subjektivizëm dhe korrupsion.
“Rindërtimi thelbësor i portofoleve ministrore të qeverisë Rama 3 është i domosdoshëm” thuhet në njoftim dhe mbështetur në analizën e punës së ministrive kryesore nga këndvështrimi i shqetësimeve të biznesit, gjëndjes së ekonomisë kombëtare dhe proceseve integruese në BE, propozon riorganizimin e disa portofoleve ministrore si më poshtë:
- Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përplasje të qartë interesi të papranueshme, që ka dëmtuar rëndë prodhimin vendor.
Politikat fiskale dhe financiare kanë nënshtruar plotësisht zhvillimin ekonomik.
Mungojnë krejtësisht politikat ekonomike dhe tregëtare mbështetëse për industritë dhe prodhimin shqiptar, sidomos në kushtet e negociatave me BE. Menaxhimi i pronës publike dhe kontratave koncesionare është pothuaj i paqenë dhe me pasoja të rënda për interesin publik.
Për sa më sipër kërkohet krijimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Administrimit të Pronës Publike.
- Krijimi i Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore. Është e pakuptueshme dhe e gabuar, që sektorë strategjikë afatgjatë si energjia, burimet natyrore dhe mineralet të jenë thjesht shtojca të Ministrisë Infrastrukturës. Shembull i qartë i dështimit dhe keqmenaxhimit është kalimi i Shqipërisë në krizë energjitike në vazhdim duke filluar nga viti 2021. Pikërisht në vitin 2021 Shqipëria shpalli krizën energjitike kur prodhimi vendas tejkaloi me 6.5% kërkesën e brendshme.
- Krijimi i Ministrisë së Turizmit dhe Administrimit të Pasurive Arkeologjike, Kulturore dhe Historike.
Organizimi i sotëm Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit prodhon mungesë oponence institucionale me pasoja të rënda në afatgjatë për mjedisin, por edhe sektorin turistik. Përmendim pjesë e problematikave të mëdha të sotme me lejet mjedisore për guroret e pakontrolluara, resorte turistike në zona të mbrojtura, rasti i zonës së mbrojtur të Butrintit, të parkut kombëtar të Vjosës, problematikat e rënda në derdhjet e ujrave të zeza në dete, lumenj dhe liqene, plehrat, aferat e rënda me djegësit, ndotjet industriale, impiante të ujrave të zeza jashtë pune, etj.
Ministria e Mjedisit duhet të organizohet si ministri e veçantë, oponente e zhvillimit ekonomik dhe industrial në shkallë vendi.
- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka përplasje të fortë institucionale interesi me sigurinë ushqimore. Politikat e zhvillimit bujqësor dhe blegtoral në parim, duhet të jenë të vëzhguara nga politikat e mbrojtjes së sigurisë ushqimore. Prblematikat e sigurisë ushqimore në shqipëri janë të rënda dhe me pasoja jo vetëm për qytetarët, por edhe për konkurencën ndërmjet bizneseve, prodhimin kombëtar dhe turizmin.
Sipas shembullit të shteteve të zhvilluara të BE, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mund të ishte pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë ose drejtpërdrejt në varësi të Zyrës së Kryeministrit.
Plotesisht dakord!
Përgjigju