Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës Enklid Gjini. Në arsyetimin e akimimit, Komisioneri nënvizon se prokurori nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë.
"Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 682, datë 10.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë. Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 682/2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Enklid Gjini", thuhet në njoftim.
Fillimisht pakica e komisionit të vlerësimit tha se prokurori ka kryer deklarim të pasaktë për një automjet, si dhe se ka ndërmarrë hapa për ta fshehur atë dhe vlerën. Gjini u konfirmua në detyrë më 10 korrik nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, me shumicë votash.