Konfiskimi i pasurive të familjes së deputetit të Partisë Demokratike, Kasem Mahmutaj ka qenë temë e diskutimit në emisionin 'Repolitix' në Report Tv të gazetarit Denis Minga. Kjo është hera e parë që SPAK i konfiskon pasurinë një deputeti, i cili së fundmi i është bashkuar Komisionit të Rithemelimit.
Pasuritë e konfirmuara ishin në emrin e vëllait të deputetit të PD Gazment Mahmutaj, i cili ka qenë subjekt i OFL, që kërkoi justifikimin e pasurisë së tij pasi ishte dënuar me burg për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni nga drejtësia italine.
Gazetari Sokol Bregu tha se pronat janë aty prej vitesh, por arsyeja përse konfiskohen tani lidhet me faktin që deputeti Mahmutaj është bërë pjesë e Rithemelimit të Berishës.
"95% e pasurive janë të vëllait, i cili është person i njohur prej kohësh por ka qenë në liri. Nuk e di pse doli në këtë moment, absolutisht që lidhet me angazhimin e tij në politikë. Mendoj se fakti që vëllai i është bashkuar lëvizjes së Berishës është arsyeja pse u mor ky vendim se pronat janë aty prej vitesh", tha Bregu.
Ish kreu i PD në Tropojë, Azgan Haklaj nuk është dakord me pretendimin e Bregut se pasuritë e deputetit demokrat u konfiskuan se kaloi nga mbështetja për Bashën tek lëvizja e ish kryeministrit. Ndër të tjera përmendi thirrjen e vazhdueshme të Bashës për vetting të politikanëve.
"Nuk jam dakord se Mahmutaj është goditur se ishte andej dhe kaloi këtej. SPAK do të vijojë me goditje të mëdha në të dyja krahët. Fillimi i kësaj goditje dëshmon se sa i domosdoshëm ka qenë vettingu i politikanëve", tha Haklaj.
Deputeti socialist, Petro Koçi u shpreh se kohët e fundit është shtuar hetimi i SPAK ndaj pasurive të politikanëve, jo vetëm të opozitës por edhe të mazhorancës.
"Besoj se kuadri ligjor është i plotë dhe nuk besoj se ka nevojë për ta shtuar. Në rastin e politikanëve janë një sërë sistemesh që veprojnë. Pavarësisht emrit të politikanit, ish apo aktual në detyra ekzekutive, kështu që ka nevojë për më shumë rigorozitet. Kohët e fundit, veprimi ndaj politikanëve është shtuar. Janë një sërë politikanësh të PS që janë ndëshkuar, janë në gjykim e sipër, është dhe konfiskimi i pronave", tha Koçi.
Ndërsa eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli tha: "Më në fund kemi një standard që drejtësia jonë po e zbaton. Nuk do të doja të ishte lëvizje politike brenda politikës së re."