ELBASAN – 4 apartamente me sipërfaqe totale rreth 470 m2 dhe me vlerë 300 mijë euro janë konfiskuar pasi dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale. Pronarët janë 2 bashkëjetues të identifikuar si Zamira Gjongecaj, 48 vjeçe dhe Besnik Braka, 58 vjeç.
Ata janë dënuar ne vitin 2009, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale "Trafikimi i armëve dhe i municionit" , "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Falsifikimi i dokumenteve".
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan kanë referuar materialet në Prokurori për iniciimin e një procedimi pasuror dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar "Fasada 4", kanë konfiskuar 4 pasuri të paluajtshme (apartamente), me vlerë rreth 300 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të shtetasve:
-Zamira Gjongecaj, 48 vjeçe, banuese në Elbasan dhe N. V. alias Besnik Braka, 58 vjeç, banues në Tiranë (bashkëjetues)", njofton policia.
Vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera që rrjedhin nga veprimtari të ndryshme kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.