TIRANË - Një seri ngjarjesh nga përditshmëria e punës së policisë i transmetojmë në episodin e 14-të të emisionit 112. Në ngjarjen e parë, pas mesditës një telefonatë në sallën operative vë në alarm Policinë e Shtetit. Telefonuesi raporton se ka një konflikt pranë qendrës së kryeqytetit ndërsa personi që po konfliktohet ka qëlluar më armë. Patrulla të shumta nga komisariati nr. 3 dhe efektivët të njësive Shigjeta dhe Shqiponja rrethojnë zonën ku raportohet se po ndodh sherri ndërsa ndalojnë personin e dyshuar.
Në emisionin 112 të realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri ju transmetojmë pamjet ekskluzive të momenteve të ndërhyrjes nga efektivët e policisë, ndërsa njoftimi për të shtëna me armë i bën edhe ata të nxjerrin armët e tyre. Personi i dyshuar ndalohet dhe shtëpia e tij kontrollohet ndërsa i gjendet pistoleta me të cilën "kishte qëlluar", por rezulton se nuk është një armë reale! Pistoleta në fjalë ishte një çakmak! Efektivët e policisë kryejnë shoqërimin e personit për dyshimet se kishte kanosur fqinjin, duke përdorur "pistoletën" çakmak.
Pak më vonë në një tjetër ngjarje publikojmë momentet e përplasjes së 3 makinave në rrugën Ibrahim Rrugova. Nga pamjet filmike një nga mjetet kalon me semafor të kuqe duke shkaktuar aksidentin. Në vendngjarje në pak momente mbërrin efektivi i policisë rrugore.
Në orët e mbrëmjes do të jemi me efektivët e komisariatit nr. 4 ndërsa ata reagojnë për një konflikt mes fqinjëve në zonën e Dajtit. Me të mbërritur në vendngjarje efektivët përballen me kundërshtim nga personi që ka dhunuar fqinjin i cili refuzon të shoqërohet në komisariat. Në këto kushte kërkohet ndihma e përforcimeve.
Pas mesnate, në orët e para të mëngjesit, efektivët e komisariatit nr. 1 ndalojnë një 17-vjeçar të dyshuar për thyerjen e xhamit të një biznesi pranë Pazarit të Ri ndërsa është tentuar të vidhet. Nga patrullimet e policisë pak momente pas ngjarjes pikaset djali i cili frikësohet sapo shesh policët ndërsa pasi ndalohet dhe shoqërohet në komisariat rezulton i shpallur në kërkim për vjedhje.