Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, mbështeti të martën bisedimet midis Greqisë dhe Turqisë për të zgjidhur tensionet në Mesdheun lindor ndërsa njoftoi për një prani të zgjeruar ushtarake të SHBA-së në rajon.
Greqia dhe Turqia, të dy anëtare të NATO-s, kanë kaluar disa javë në mosmarrëveshje pasi Ankaraja dërgoi anije për kërkimin e naftës dhe gazit në rajon.
"Ne mbështesim fuqishëm dialogun midis aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë dhe i inkurajojmë ata të rinisin diskutimin e këtyre çështjeve sa më shpejt të jetë e mundur", tha Pompeo, pasi vizitoi një bazë të NATO-s në ishullin Grek të Kretës.
Baza më e re e marinës amerikane, është struktura kryesore detare e SHBA-së në Mesdheun lindor.
Pompeo, ndodhet në një turne evropian që përfshin ndalesa në Itali dhe Kroaci.
Ai ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të "destabilizojë rajonin, veçanërisht në Libi" dhe për "dezinformimin për pandeminë e koronavirusit".
Ai gjithashtu sulmoi Kinën, duke argumentuar se ajo "përpiqet të përdorë fuqinë ekonomike në rajon për të fituar fuqi strategjike mbi demokracitë evropiane".
Greqia dhe Turqia, kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet e ndërprera më 2016, për të gjetur "zgjidhje për mosmarrëveshjet” e tyre mbi territorin dhe të drejtat e kërkimit të energjisë.