Hanet në Pazarin e Korçës janë pjesë e rëndësishme e këtij ansambli historik të trashëgimisë së kulturës sonë kombëtare. Në rrjedhën e historisë së këtij pazari mbahen mend rreth 16 hane, ndërsa sot ekzistojne fare pak prej tyre, disa të transformuara por ka edhe nga ato që po degradojnë dita ditës.
Kështu ndodh me Hanin e Gjelit, i cili para disa vitesh përfitoi nga investimi prej 5 milion dollarësh por sot është totalisht i degraduar.
Mure të rrënuara, tavane të shembur, dyer e dritare të hequra forcërisht. Godina e fundshekullit 19-të është kthyer në strehën e përdoruesve të drogës.
Administratorja e pazarit të Korçës, Magi Lena shprehet se një konflikt i pazgjidhur pronësie ndërmjet trashëgimtarëve ka çuar në degradimin e objektit.
“E vetmja gjë që i është prekur këtij hani është fasada e jashtme. Ajo është rikonstruktuar si cdo fasadë tjetër e ndërtesave, në kohën që është bërë rigjallërimi i pazarit të vjetër dhe është rikthyer nmë gjëndjen e tij të tanishme. Por përtej kësaj, duke qenë se këto hane janë ndërtesa që janë në pronësi private të disa personave nuk është se na lejohet të bëjmë ndryshime apo ta prekim në brendësi të tij.
Nëse hyni në brendësi të Hanit të Gjelit do shikoni që ajo është në gjëndje vërtet të mjeruar. Për fat të keq Edhe ne si shoqatë “Korça” nuk është se kemi shumë mundësi financiare për të ndërhyrë por edhe se ato janë prona private që ne nuk na lejohet të ndërhyjmë", thotë Magi Lena.
Banorët dhe bizneset në afërsi të Hanit të Gjelit shprehen se një pamje e tillë nuk i shkon Pazarit te Vjetër në Korcë, që vizitohet çdo vit nga mijëra turistë.