Një anëtar i Ushtrisë Kamboxhiane qëndron pranë barrikadave në Phnom Penh

Bota

Konflikti midis Kamboxhias dhe Tajlandës, kush ka ushtrinë më të fortë?

24 Korrik, 17:40| Përditesimi: 24 Korrik, 17:41

  • Share

Muaj tensioni në rritje mes Kamboxhias dhe Tajlandës shpërthyen të enjten në një përplasje të armatosur, që përfshiu edhe përdorimin e një avioni luftarak tajlandez F-16, në përballjen më të ashpër midis këtyre dy vendeve të Azisë Juglindore në më shumë se një dekadë.

Më poshtë jepet një panoramë e forcave të mbrojtjes dhe arsenalit të dy vendeve, sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër.

BUXHETET DHE PERSONELI TOKËSOR

Kamboxhia kishte një buxhet mbrojtjeje prej 1.3 miliardë dollarësh për vitin 2024 dhe 124,300 pjesëtarë aktivë të forcave të armatosura. Ushtria kamboxhiane u krijua në vitin 1993, nga bashkimi i ushtrisë ish-komuniste me dy forca të tjera rezistence.

Brenda kësaj strukture, ushtria tokësore është forca më e madhe, me rreth 75,000 ushtarë, të mbështetur nga mbi 200 tanke lufte dhe rreth 480 mjete artilerie.

Tajlanda, e klasifikuar nga SHBA si aleate e rëndësishme jashtë NATO-s, ka një ushtri të madhe dhe mirëfinancuar, me një buxhet mbrojtjeje prej 5.73 miliardë dollarësh në vitin 2024 dhe mbi 360,000 forca të armatosura aktive.

Ushtria tajlandeze përbëhet nga gjithsej 245,000 efektivë, përfshirë rreth 115,000 rekrutë. Ajo ka rreth 400 tanke lufte, mbi 1,200 mjete të blinduara transporti dhe rreth 2,600 mjete artilerie.

Ushtria ka gjithashtu flotën e vet të avionëve, që përfshin avionë pasagjerësh, helikopterë si dhjetëra Black Haëk të prodhimit amerikan dhe dronë.

FORCAT AJRORE

Forca ajrore e Kamboxhias ka 1,500 pjesëtarë dhe një flotë relativisht të vogël avionësh, që përfshin 10 avionë transporti dhe 10 helikopterë transporti.

Kamboxhia nuk disponon avionë luftarakë, por ka 16 helikopterë shumëfunksionalë, mes të cilëve gjashtë Mi-17 të epokës sovjetike dhe 10 helikopterë kinezë Z-9.

Tajlanda ka një nga forcat ajrore më të pajisura dhe të trajnuara në Azinë Juglindore, me rreth 46,000 pjesëtarë, 112 avionë luftarakë aktivë, përfshirë 28 F-16 dhe 11 avionë suedezë luftarakë Gripen, si dhe dhjetëra helikopterë.

MARINAT

Marina kamboxhiane ka rreth 2,800 pjesëtarë, përfshirë 1,500 këmbësorë detarë, me 13 anije patrullimi dhe anije luftarake bregdetare, si dhe një anije amfibe për zbarkim.

Marina e Tajlandës është shumë më e madhe, me pothuajse 70,000 pjesëtarë, përfshirë aviacionin detar, marinsat, mbrojtjen bregdetare dhe rekrutët.

Flota tajlandeze ka një aeroplanmbajtëse, shtatë fregata dhe 68 anije patrullimi dhe anije luftarake bregdetare. Ajo përfshin gjithashtu disa anije amfibe dhe për zbarkim që mund të mbajnë qindra trupa secila, si dhe 14 mjete të vogla për zbarkim.

Divizioni i aviacionit detar të Tajlandës ka flotën e vet të avionëve, përfshirë helikopterë dhe dronë, ndërsa trupa e marinsave ka 23,000 efektivë të mbështetur nga dhjetëra mjete të blinduara luftarake./Reuters

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?