Bashkimi Evropian ka shkuar një hap tutje në ndëshkim të Bjellorusisë për krizën në kufirin Poloni-Bjellorusi, ku qindra migrantë nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika, vazhdojnë të qëndrojnë në ambiente të ftohta dhe me pak ushqim.
Ambasadorët e 27 vendeve të bllokut evropian janë pajtuar më 10 nëntor se situata lë hapësirë për sanksione të reja që mund të miratohen javën e ardhshme dhe të shënjestrojnë 30 individë dhe entitete, përfshirë ministrin e jashtëm të Bjellorusisë dhe linjën ajrore kombëtare.
Migrantët kanë kaluar një tjetër natë në kufi.
Liderët e BE-së kanë akuzuar Minskun se është duke i marrë ata nga vendet e varfra dhe më qëllim po i shtyn drejt kufirit me Poloninë, duke tentuar të shkaktojë kaos në BE.
Polonia është duke refuzuar që të lejojë hyrjen e migrantëve në territorin e saj dhe ka dërguar qindra trupa në kufi.
Ky shtet po ashtu ka ndërtuar një ndalesë me gjemba në zonën kufitare.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki më 10 nëntor se veprimet e Bjellorusisë përbëjnë “hakmarrje të heshtur”, për shkak se BE-ja ka kërkuar ndryshime demokratike në zgjedhjet e mbajtura në gusht të vitit 2020 në Bjellorusi.
Perëndimi dhe opizita bjelloruse i konsiderojnë të manipuluara zgjedhjet në të cilat Alyaksandr Lukashenka – që është në pushtet që nga viti 1994 - është shpallur fitues./REL