Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Madrid, ku u fol edhe për faktin që në Tiranë do të mbahet Kongresi Botëror i Ligjeve më 2027.
Rama u shpreh se për shqiptarët dhe Shqipërinë "ka pasur shumë stigma", por theksoi se tashmë vendi ynë ka 12 milionë vizitorë të huaj në vit dhe tha Shqipëria pretendon të marrë "Kupën e Botës" në mikpritje.
"Dëgjoni, në 2027 ne do të mikpresim një seri evenimentesh, të cilat do të kishin qenë të paimagjinueshme, jo 50 vjet më parë, por edhe pak vjet më parë, sepse në 2027, Shqipëria do të jetë mikpritëse, jo vetëm e Kongresit Botëror të Drejtësisë, por edhe e Samitit të NATO-s, e po kështu edhe e finaleve evropiane nën moshën 21 vjeç në futboll.
Kështu që, këto janë gjëra të jashtëzakonshme që po na ndodhin, falë punës që kemi bërë sigurisht, sepse duhet të mbani parasysh që nuk ishte 100 vjet më parë, por ishte gjatë jetës sime. Ishim tërësisht të izoluar dhe ishim Koreja e Veriut të Europës, ishim të izoluar, qoftë nga Perëndimi, ashtu dhe nga Lindja dhe pretendonim se ishim vendi i vetëm i vërtetë e i mirëfilltë komunist dhe kishim vetëm 5 mijë vizitorë mesatarisht në vit, ndërkohë që vitin e kaluar e mbyllën me 12 milionë të tillë.
Na u desh të luftonim, të luftonim për shumë vite kundër stigmës, që në një farë mënyre na ka ndjekur si hije pas, qysh kur jemi hapur, e qysh kur erdhëm në Evropë, një stigmë që na donte të ishim kriminelë, na donte të ishim rrëmbyes, na donte të ishim hajdutë e çdo gjë me radhë, dhe po kështu kërkonte që Shqipëria të ishte një vend i zymtë, ku askush nuk duhet të shkojë, sepse është e rrezikshme. Por, për fat të mirë, e gjitha kjo ka marrë fund tashmë dhe të gjithë ata që vijnë në Shqipëri mrekullohen nga mikpritja, nga vendi i bukur, nga siguria.
Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Europë.
Kemi normën më të ulët të vjedhjeve në Europë dhe nuk është qeveria që e thotë këtë, por organizatat ndërkombëtare",- është shprehur Rama.
Lajmi kryesor:
Marrëveshje me Spanjën si me Italinë? Rama në Madrid: Nuk e shoh të mundshme! Duhet politikë e përbashkët europiane për të luftuar emigracionin
K.M/r.k./ReportTv.al