Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të planit strategjik 2023-2027 nisi këtë vit me vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku së bashku me përfaqësues të organizatave dhe institucioneve që punojnë me të rinjtë takimet shërbyen për të përforcuar bashkëpunimin ndërkombëtar me fokus tek çështjet dhe politikat rinore.
Investimi në nisma dhe mundësi për të rinjtë ishte kryefjala e kësaj vizite e cila pikënisjen e pati në Washington D.C. me përfaqësues nga Forumi për Shkëmbim Kulturor (Forum for Cultural Engagement), Fondacioni Vital Voices, Fondacioni Close Up, dhe Instituti Rodham.
Gjatë qëndrimit në Washington D.C., ekipi i Kongresit Rinor Kombëtar u mikprit nga Sekretarja e Përgjithshme e Distriktit të Kolumbias znj. Kimberly A. Bassett, në një takim miqësor të fokusuar mbi modelin e KRK dhe praktikat e përbashkëta për fuqizimin, pjesëmarrjen dhe ngritjen e kapaciteteve rinore në procese vendimmarrëse dhe qeverisjen lokale.
"Në përmbyllje të një viti dinamik dhe arritjeve të programit të ‘’Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022’’, KRK do të vijojë të përforcojë bashkëpunimet në nivel transatlantik për të avancuar investimet konkrete në çështje dhe problematika që prekin të rinjtë," theksoi në fjalën e saj Drejtoresha Ekzekutive e KRK znj. Dafina Peci.
Takimet përfunduan me vizitën e ekipit të KRK pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në New York, SHBA, nën prezencën e Ambasadorit Ferit Hoxha.
Krahas investimit në bashkëpunimin rinor rajonal që prej vitit 2017, KRK do të vazhdojë të punojë për të avancuar bashkëpunimin rajonal mes organizatave simotra dhe të rinjve nga rajoni. Përgatitja e planit strategjik 2023-2027 dhe konkluzionet e Asamblesë të dhjetë të Përgjithshme të KRK nënvizuan përkushtimin e rrjetit të KRK drejt agjendës së paqes, sigurisë dhe të rinjve.
Takimi me Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në New York u fokusua tek planet dhe nismat e përbashkëta që kanë në fokus fuqizimin e të rinjve si aktorë të rëndësishëm në ndërtimin e paqes.️ Përgjatë diskutimit, palët theksuan se investimi në fushën e paqes, sigurisë dhe të rinjve mbetet një tematikë e rëndësishme për fuqizimin dhe angazhimin e të rinjve Shqiptarë në arenën e politikave ndërkombëtare.