Rashida Tlaib

Bota

Kongresmenia amerikane akuzon Donald Trump për gjenocid, reagojnë dhe vendet arabe: Spastrim etnik ndaj palestinezëve

5 Shkurt, 10:55| Përditesimi: 5 Shkurt, 11:01

  • Share

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump është akuzuar për "thirrje për spastrim etnik" pasi ka propozuar që e gjithë popullsia palestineze e Gazës të zhvendoset në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.

Demokratja Rashida Tlaib, e vetmja anëtare palestinezo-amerikane e Kongresit amerikan, tha: "Ky president po bën thirrje hapur për spastrim etnik ndërsa është ulur pranë një krimineli gjenocidi e lufte”.

"Ai ndihet shumë mirë duke hequr nga puna amerikanët që varen nga fondet federale, ndërkohë që fondet për qeverinë izraelite vazhdojnë të rrjedhin", shtoi ajo.

Zhvendosja e detyruar e popullsisë së Gazës ka të ngjarë të jetë një shkelje e ligjit ndërkombëtar. Ajo do të kundërshtohej ashpër jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe nga aleatët perëndimorë të Amerikës. Trump gjithashtu ka dështuar të ofrojë ndonjë specifikë se si mund të zbatohet një proces rivendosjeje.

Disa ekspertë kanë thënë se ideja i bën jehonë dëshirave të së djathtës ekstreme të Izraelit, me ish-këshilltarin e Lindjes së Mesme Aaron David Miller që tha se komentet e Trump i kishin dhënë Netanyahut një "ndihmë të madhe".

"Ai vërtetoi pothuajse çdo fantazi të krahut të djathtë në Izrael," tha ai.

Plani i Trump, për të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe për të zhvendosur në mënyrë të përhershme palestinezët ka ngjallur  reagime të ashpra dhe kundërshtuese nga kombet arabe.

Pas prezantimit të detajuar të planit të Trump, kombet arabe e shohin atë si "spastrim etnik të palestinezëve". Ky plan është në kundërshtim edhe me ligjin ndërkombëtar, sipas të cilit, transferimi me forcë i popullatave është rreptësishtë i ndaluar, dhe palestinezët, si dhe kombet arabe, e shohin këtë si një propozim të qartë që synon dëbimin e tyre dhe spastrimin etnik të palestinezëve nga toka e tyre.

Në një deklaratë të përbashkët, Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Autoriteti Palestinez dhe Liga Arabe thanë se një veprim i tillë mund të "kërcënojë stabilitetin e rajonit, të rrezikojë zgjerimin e konfliktit dhe të minojë perspektivat për paqe dhe bashkëjetesë midis popujve të tij".

Udhëheqësit arabë i kanë hedhur poshtë kategorikisht idetë e Trump, i cili sugjeroi që Egjipti dhe Jordania mund të "marrin" palestinezët nga Gaza.

Sipas Trump, ai kërkon "zhvendosjen" e përhershme të të gjithë palestinezëve nga Gaza "si një gjest humanitar", duke thënë se nuk ka alternativë për ta sepse "Gaza është një vend i shkatërruar".

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?