Konfliktet institucionale vijojnë të lënë 315 studentë të ekonomikut pa marrë në dorë diplomat, një proces që është zvarritur prej një viti. Ndonëse ministria e Arsimit kërkoi që Rektori i Universitetit të Tiranës të firmosë diplomat e studentëve pasi numrat e matrikullimit janë të ligjshëm, Mynyr Koni refuzon ta bëjë dicka të tillë.
Koni ka reaguar për çështjen këtë të hënë duke thënë se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë dhe se firmosjen e diplomave do ta bëjë vetëm kur procesi të kryhet sipas mënyrës ligjore.
"Në momentin kur në Rektoratin e UT, do të përcillet nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë i UT, lista përfundimtare e studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (për vitin akademik 2017-2018), Rektori do të veprojë në mënyrë të menjëhershme, me nënshkrimin e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë institucionale, e rregullt dhe ligjore, në zbatim të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe Udhëzimit përkatës, të nxjerrë nga vetë Ministri përgjegjës për arsimin, të cilën ja kam bërë me dije dhe ja kam kërkuar prej disa muajsh edhe Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë", tha Koni.
Nga ana tjetër të mbetur peng mes këtij konflikti janë studentët të cilët pas përfundimit të afatit më 8 korrik, do ti drejtohen Gjykatës Administrative.
"Në Gjykatën Administrative ne do të dërgojmë Universitetin e Tiranës dhe do ti kërkojmë përveç kartonit të diplomës do të kërkojmë edhe dëmshpërblimin për çdo student. Nuk na intereson lufta mes dy institucioneve, ato le ti zgjidhin vetë. Ne jemi studentë, kemi paguar dhe ajo që kërkojmë është që Universiteti të na pajisjë me diplomë dhe mos penalizohemi në rritjen profesionale", tha studentja Ines Mulellari.
Mynyr Koni e ka cilësuar qëndrimin e ministres Besa Shahini si aspak profesional, të njëanshëm dhe në shkelje me ligjin e arsimit të lartë.