Një 70-vjeçar është vënë nën hetim nga policia pasi ndezi zjarr për pastrimin e një pjesë toke dhe zjarri u përhap, ku si pasojë dogji 3.5 hektarë kullotë.
I moshuari Fejzo Murtaj banues në fshatin Markat, Konispol është vënë nën hetim në gjendje të lirë, për shkak të moshës së tij.
Nga hetimet paraprake dyshohet se më datë 26.07.2025, rreth orës 09:00 i moshuari ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e një pjese toke kullotë në malin e fshatit Markat dhe, si pasojë e përhapjes së flakëve nga era e fortë, është djegur një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh me barishte dhe shkurre. Zjarri është përhapur edhe në territorin e banuar të fshatit, ku ka shkaktuar djegien e një stalle me bagëti të imta (10 krerë dele) dhe një koteci me shpendë.
‘Si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet procedurale në Prokurori, për shtetasin: Fejzo Murtaj, 70 vjeç, banues në fshatin Markat, Konispol’, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Komente
