Konkurs/75-vjetori i Antifashizmit në Shqipëri, Dado: Do vlerësohet vepra, jo pikëpamjet politike

2 Gusht 2019, 14:31| Përditesimi: 2 Gusht 2019, 14:50

  • Share

Në përkujtim të 75-vjetorit të antifashizmit në Shqipëri, Akademia e Shkencave, ka shpallur konkursin retrospektivë për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, të botuar nga viti 1991 deri më vitin 2019. Për këtë konkurs do të akordohen tre çmime që janë: Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga autorë vendës; Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga autorë të huaj edhe Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga studiues të rinj. Akademikja Floresha Dado shpjegon detajet e këtij konkursi

“Ky konkurs është për veprën më të mirë, që është shkruar për periudhën e Luftës Antifashiste nga ’90 deri më 2019-ën, duke qenë se studimet në këtë periudhë janë më objektive dhe në një vështrim të ri. Së pari, ky është një konkurs që përfshin një çmim për veprën më cilësore të një studiuesi shqiptar, e një të huaj, por edhe një çmim për studiuesit e rinj”, thotë akademikja Dado.

Ndërsa, akademiku dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, e vlerëson këtë konkurs, si një mundësi për studiuesit edhe historianët e rinj  

“Si me ligjin aktual, por edhe me atë të ri, një nga funksionet e ASH është organizimi i konkurseve apo çmimeve të posaçme. Në këtë vit jubilar që është 75-vjetori i Antifashizmit, menduam të krijonim edhe ideonim një konkurs për veprën më të mirë të kërkuesit shqiptar, të huaj edhe studiuesit të rinj. Duhet që ta pranojmë se një pjesë e rëndësishme e literaturës kombëtare edhe ndërkombëtare i kushtohet studimeve për Luftën e Dytë Botërore”, thotë Tole.

Për organizmin e këtij konkursi pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ngrihet dhe funksionon një juri ndërkombëtare e specializuar, me studiues vendës e të huaj. Kjo juri ngarkohet, që në mënyrë autonome të bëjë përzgjedhjen, nominimin dhe shpalljen e tre fituesve, sipas përcaktimeve të pikës 3 të këtij vendimi.

“Juria përbëhet nga një anëtar jurie i huaj, një profesor nga Fakulteti i Historisë edhe Filologjisë, nga Akademia e Shkencave të Kosovës edhe një nga ASH. Juria nuk niset nga pikëpamjet politike, por rëndësi ka që studiuesit të sjellin kërkime të reja. Do të jetë një juri jo të njëanshme, por që do të vlerësojë studimet e pjesëmarrësve.  Kjo është periudha më e diskutueshme. Për këtë ka pasur shumë debate, edhe për këtë arsye ASH do të organizojë edhe një konferencë shkencore, që mos të jetë thjesht një konferencë jubilare, por edhe shkencore, që të ketë teza edhe pikëpamje të ndryshme”, thotë Dado.

Nënkryetari i Akademisë Vasil Tole, e sheh këtë konkurs edhe si një mundësi për të evidentuar sakrificat e atyre që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë luftë jo vetëm me pushkë.

“Akademia fokusohet në një studim të krijuar enkas për këtë periudhë, edhe mbi zgjerimin e konceptit mbi antifashizmin, duke mos ndalur vetëm tek antifashisti me pushkë, por edhe tek ai civil. Sakrificat e atyre që në një mënyrë apo në një tjetër i rezistuan fashizmit. Besoj se zgjerimi i këtij spektri do të ofrojë befasi në veprat që do të nominohen dhe vlerësohen. Në këtë mënyrë do të mësojmë se çfarë ka ndodhur realisht në këtë periudhë”, shton Tole.

Pranimi i veprave konkurruese mbyllet më datën 30 shtator 2019. Ceremonia e ndarjes së çmimeve organizohet më 13-16 nëntor, në kuadër të konferencës shkencore akademike Antifashizmi popullor i shqiptarëve. Për secilin nga fituesit Akademia e Shkencave akordon një shpërblim në masën 300.000 lekë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?