Pikturo një ëndërr ashtu siç e imagjinon, duke e shfrenuar fantazinë! Kësaj thirrjeje të Qendrës Kulturore të Fëmijëve iu përgjigjen 500 të vegjël nga e gjithë Shqipëria. Ata iu bashkua edicionit të parë të Konkursit Kombëtar të Pikturës ku u ndanë çmimet për më të mirët. Juria e përbërë nga fotografi Albes Fusha, piktorja Silvana Nini, piktorja Arnilda Kyçyku, Kleisa Zela dhe Edgar Shima përzgjodhi fituesit për çmime të para, të dyta e të treta sipas kategorive përkatëse, si dhe tre çmime speciale.
Fituesit e kategorisë 6-9 vjeç u vlerësuan: Anid Bekteshi (çmimi i parë), Olivia Priftaj (çmimi i dytë) dhe Arlen Manuka (çmimi i tretë). Fituesit e kategorisë 10-12 vjeç janë: Roan Myftaraj (çmimi i parë), Felisia Kruja (çmimi i dytë) dhe Emilja Mustafaj (çmimi i tretë). Për kategorinë 13-15 vjeç u vlerësuan: Ajsi Balliu (çmimi i parë), Klevis Lame (çmimi i dytë) dhe Diliana Hyskaj (çmimi i tretë).
Ndërsa çmimet speciale u ndanë për: Ajlin Hoxha (Çmimi Albas) dhe tre çmimet e tjera për Flavia Kokthi, Morena Biba dhe Juan Xhizdari. Edicioni i parë i konkursit është titulluar "Unë jam ngjyra" ndërsa tema e pikturave e caktuar nga QKKF ishte “Një ëndërr”. Ky aktivitet zhvillohet për herë të parë në rang vendi, ndërkohë që në edicionin e ardhshëm synon të shtrijë gjeografinë e tij, duke bërë pjesë edhe fëmijët shqiptarë që jetojnë në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Komente
