Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konkursin për masterplanin për zhvillimin e zonës së ish Cirkut në qendër të Tiranës, tha se ky projekt do të jetë një tjetër gur i rëndësishëm në rrugën e zhvillimit urban të vendit. Kreu i qeverisë tha se Tirana mban ‘lokomotivën’ e këtij transformimi epokal.
“Është një tjetër gur i rëndësishëm që ne synojmë të vëmë në rrugën e re të vendit, një rrugë ku Tirana është “lokomotiva” e një transformimi epokal, falë dhe pikërisht këtyre zhvillimeve që kanë përfshirë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh ndërkombëtarë dhe që kanë krijuar një hapësirë të jashtëzakonshme për arkitektët vendas, për të gjithë vajzat dhe djemtë që kanë pasion arkitekturën dhe që e ushtrojnë këtë profesion, që faktikisht të jetojnë në një vend që sot është një “universitet” i hapur dhe që falë, jo vetëm këtyre konkurseve, por edhe partneriteteve me studiot e mëdha ndërkombëtare, të mund të përfitojë një dije shumë të çmuar, një dije përmes ndërveprimit me profesionistë shumë të spikatur të kësaj fushe mundësish edhe parafytyrimesh të pafundme.”, u shpreh Rama, teksa falënderoi studiot pjesëmarrëse në konkurs.
Edhe kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani mbajti fjalën e saj, ndërsa u shpreh se projekti do të jetë një shtëpi e re për teatrin Metropol. Ajo vlerësoi gjithashtu edhe studiot pjesëmarrëse, njëra prej të cilave do të mund të transformojë totalisht këtë cep të kryeqytetit.
“Vend i rëndësishëm për Tiranën që po ndërtohet. Qyteti është me përkufizim bashkëjetesë dhe ajo që ne bëjmë në marrëdhënie me sipërmarrësit, komunitetit dhe krijuesit, është marrëdhënie besimi. Dua të flas për atë që është përfitimi i qytetit nga produkti i këtij konkursi, një shtëpi e re për teatrin e metropolit, pasi ka jo vetëm shfaqje shumë cilësore por edhe program për edukimin e fëmijëve dhe një sërë punësh të tjera të bukura që e ndihmojnë kulturalisht qytetin. Ndaj me këtë projekt më në fund teatri i qytetit merr një shtëpi të merituar ku mund të punohet me kushte të përcaktuara. Një pjesë tjetër është ajo e qendrës së turizmit. Jam krenare që ka 6 studio kaq prestigjioze, që me idetë e tyre, do ta transformojnë këtë cep të Tiranës në një pjesë plotësuese të bulevardit Zogu i Parë.", tha ajo.
Studiot konkuruese:
COBE, Danimarkë
GO HASEGAËA & Assiciates, Japoni
GROUPËORK, Britani e Madhe
L’AUC, Francë
NIETO SOBEJANO, Spanjë
ARCHEA Associati, Itali
Komente
