Politikë

Konsorciumi turk fituese e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, PD akuza: Kishin ofertën më të lartë, 12 mln më shumë! Kallëzim në SPAK për Ballukun

12 Tetor, 14:41| Përditesimi: 12 Tetor, 14:52

Konsorciumi turk, (bashkimi i kompanive Kompanitë turke Intekar Yapi Turizm Elektrik Insaat Sanayi Ticaret Limited Sirketi dhe Asl Insaat Taahhut Ve Sanayi Ticaret Limited Sirketi) fituan tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, por PD ka akuzuar se ata kishin ofertën më të lartë. Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Helidon Bushati shprehet se konsorciumi turk ka ofruar rreth 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët.

Ai akuzon qeverinë se po shpërdoron paratë e qytetarëve në një kohë kur flet për krizë, teksa thekson se PD do të bëjë kallëzim në SPAK për Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Ballukun.

"Pra, në garën midis “INTEKAR YAPI” dhe “ASL”që kërkoi ta ndërtojë tunelin për rreth 17 miliardë lekë ose 170 milion dollarë, dhe një tjetër bashkim operatorësh, përbërë nga kompania egjiptiane “Concord Engineering” dhe dy kompani shqiptare,  që kanë ofruar 12 milionë dollarë më pak për të njëjtën punë, në total 158 milion dollarë, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, zgjodhi ofertën më të shtrenjtë për xhepat e qytetarëve. Pikërisht në një kohë kur qeveria flet për krizë, taksat e shqiptarëve shpërdorohen. Partia Demokratike nuk do të mjaftohet vetëm me denoncimin e këtij skandali, por do të dorëzojë kallëzim penal në SPAK për drejtuesen e Ministrisë së Infrastrukturës, Belinda Balluku", shkruan Bushati.

Për ndërtimin e tunelit, konsorciumi turk kanë ofruar mbi 17 miliardë lekë, dhe u vlerësuan nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave me 76.2 pikë, si oferta më e suksesshme. Ndërkohë fondi limit i përcaktuar nga Ministria e Infrastrukturës ishte 18.9 miliardë lekë.

Ndërkohë në garë për të fituar këtë tender ka qenë edhe një bashkim operatorësh shqiptar (JV Concord Engineering dhe Contracting &Alb Building shpk & Alb) që kanë ofruar 15.8 miliardë lekë pa TVSH, vlerë kjo më e ulët se fondi limit dhe më e ulët se oferta e fituesve. Kjo ofertë u shpall e pasuksesshme për shkak se operatorët nuk kanë pasur përvojë të mëparshme të suksesshme për ndërtim urash në rrugë.

Ndërsa tre ofertat e tjera që ishin nga kompani të mëdha ofruan 18 miliardë lekë dhe më lartë për të ndërtuar këtë tunel, e që janë skualifikuar për mungesë eksperience, për mos përmbushje kushtesh, dhe për shkak se kanë ofruar mbi fondin limit të përcaktuar.

Pas nënshkrimit të kontratës, kompania fituese ka afat 37 muaj që të përfundojë tunelin, i cili do të jetë i gjatë 5.9 kilometra.

Deklarata e plotë e deputetit të PD:

Prej ditës që panikndjellësi iu shpalli shqiptarëve ‘krizën’, Partia Demokratike ka treguar me prova dhe fakte, se nuk kemi të bëjmë me një krizë energjitike, por me krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi.  Dhe kjo nuk po ndodh vetëm në sektorin e energjisë, por, sikurse ka ndodhur gjatë këtyre viteve, në të cilat korrupsioni ka arritur në nivelin e kapjes së shtetit, po ndodh edhe në sektorë të tjerë.

Ministria e Infrastrukturës, që është edhe ministria mbi të cilën bie edhe pesha e keqmenaxhimit dhe korrupsionit për situatën energjitike në vend, për të cilën do të merren 200 milionë euro borxh, që do të paguhen nga taksat e shqiptarëve, ka shpallur fitues të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një bashkim kompanish turke, e cili ka ofruar rreth 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët. Pra, në garën midis “INTEKAR YAPI” dhe “ASL”që kërkoi ta ndërtojë tunelin për rreth 17 miliardë lekë ose 170 milion dollarë, dhe një tjetër bashkim operatorësh, përbërë nga kompania egjiptiane “Concord Engineering” dhe dy kompani shqiptare,  që kanë ofruar 12 milionë dollarë më pak për të njëjtën punë, në total 158 milion dollarë, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, zgjodhi ofertën më të shtrenjtë për xhepat e qytetarëve. Pikërisht në një kohë kur qeveria flet për krizë, taksat e shqiptarëve shpërdorohen.

Dhe përpara syve të të gjithë shqiptarëve del qartë se kriza është për qytetarët, ndërsa për qeverinë është sezon pasurimi për të dhe klientët e saj. Dhe nuk janë pak, por 12 milionë dollarë që mund të shkojnë për shtresat në nevojë, jo për orekset e një grushti të vogël njerëzish. Përballë shpalljes si fituese të ofertës më të shtrenjtë dhe abuzimit me taksat e tyre, qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë dhe veprim të menjëhershëm të drejtësisë.

Veçanërisht, qytetarët e shtetit më të varfër në Europë, që për shkak të kësaj qeverie të korruptuar paguajnë çmimet, ndër më të shtrenjtat për ndërtimin e rrugëve në kontinent, si ato që kalojnë 20 milionë euro për kilometër. Partia Demokratike nuk do të mjaftohet vetëm me denoncimin e këtij skandali, por do të dorëzojë kallëzim penal në SPAK për drejtuesen e Ministrisë së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Qytetarët shqiptarë nuk mund të mbajnë mbi shpinë korrupsionin e kësaj pakice, ndaj është detyra e drejtësisë t’i japë fund abuzimeve. Është detyra e drejtësisë t’i japë fund pandëshkueshmërisë së pushtetarëve që varfërojnë qytetarët, për të pasuruar veten dhe klientët më të cilët ndajnë një pushtet të paligjshëm.

J.SH.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • GAZMEND: 12/10/2021 19:34

    Oh Helidon! A po vini nga një mënyrë galaktike me një UFO? Nëse vendosni një rezultat të tenderit në Stamboll së bashku me Erdoganin para se të përfundojë tenderi, ky është produkti! Vëllai i Madh është Erdogan jo SHBA! Çfarë doni saktësisht? Ata kurrë nuk do t'ju japin një pjesë të Bakllavasë! Harrojeni dhe uluni në karrigen tuaj!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarjet në Fier e Fushë Krujë, a jeni të shqetësuar nga situata e rendit dhe sigurisë publike?