Ditën e sotme, pas 8 muajsh Kuvendi i Kosovës është konstituuar, duke i hapur rrugën formimit të qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura në shkurt.
Analisti Jeton Halimi, në një lidhje me Report Tv, në ‘Sot live në Shqipëri’, të moderuar nga Nertil Agalliu, ka deklaruar se me konstituimin e Kuvendit, fitoi populli i Kosovës.
“Këtu nuk humbi askush dhe fitoi popullata dhe sovrani i popullit të Kosovës që ka votuar ata njerëzit, qoftë të opozitës apo të mazhorancës. Dje kisha një mendim se nëse shkojnë me mendje të shëndosh, do të zgjidhej kjo nyje e stërzgjatur, e cila nuk ka pas zgjidhje që nga certefikimi i zgjedhjeve nga KQZ-ja prej 9 muajsh dhe tani ka dhënë një sinjal për formin e qeverisë së re"- u shpreh ai.
Më tej Halimi shtoi se Albin Kurti duhet t’i thërrasë mendjes dhe se duhet që të bëjë marrëveshje politike për formimin e qeverisë së re. Sipas tij, Kurti nuk ka rrugë tjetër, përveçse të formimit të qeverisë së re.
“Tani zoti Kurti, nuk duhet të bëjë kalkulime politike por duhet të bëjë marrëveshje politike, sepse tashmë e dimë që si ka pasur votat as për konsituimin e Kuvendit dhe as për qeverinë e Kosovës. Tani zoti Kurti duhet t’i thërrasë mendjes të bëjë marrëveshje politike me Nismën dhe minoritetet që të ecim përpara, sepse si ka votat për të qeverisur vetë. Kjo është e dukshme. Tani zoti Kurti nuk ka rrugë tjetër përveç marrëveshjet politike, pasi i skadon afati prej 15 ditësh për formimin e institucioneve, ku përfshihet qeveria”, tha Halimi.
Halimi tha më tej se Kurti ka 15 ditë për formimin e qeverisë së re, pasi sipas tij më pas i jepet mundësia partisë e renditur e dyta për krijimin e qeverisë.
“Neni 90 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e thotë qartë se partia fituese duhet të paraqesë kandidatin për kreun e Kuvendit dhe pas 15 ditësh rrjedh afati kushtetutës, partia VetëVendosje me kandidatin e saj, kryeministri aktual Albin Kurti, i jep 15 ditë kohë afat për formimin e qeverisë së re. Nëse brenda 15 ditëve nuk e formon, i jepet partisë së dytë mundësia që të mbledhë 61 mandate për formimin e qeverisë. Kështu vazhdon edhe me partinë e tretë. dhe nëse nuk kemi një formim të qeverisë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, ka afat kushtetues 40 ditorë që të caktojë datën e zgjedhjeve të reja. Nuk besoj se do të arrijmë në këtë pikë, dhe uroj që zoti Kurti t’i thërrasë mendjes dhe t’i lejë mënjanë inatet personale dhe të arrijë një marrëveshje politike për formimin e qeverisë së Kosovës”,
Më tej, ai tha se lëvizja VetëVendosja i ka prishur marrëdhëniet me SHBA dhe BE. Teksa tha se shpreson për normalizimin e marrëdhënies, pasi sipas tij, pa SHBA, Kosova nuk mund të fillojë asnjë hap më tutje.
“Tani lëvizja VetëVendosja i ka prishur marrëdhëniet me SHBA dhe BE, por shpresoj që të vijë një ditë që të përmirësohen dhe ato vërejtjet e SHBA-së është një ilaç i mirë për të kaluar atë sëmundje politike dhe populizmin të zotit Kurti. Shpresoj që të normalizohen marrëdhëniet me SHBA, sepse pa SHBA, Kosova nuk mund të fillojë asnjë hap më tutje”,
Komente
