Sot nisën nga puna edhe 3 komisione të tjera parlamentare, dy prej të cilëve drejtohen nga opozita. Hovin e Ina Zhupës dhe Luçiano Boçit për të mos humbur asnjë sekondë për të bërë opozitë, e preu Jozefina Topalli, e cila kërkoi të relaksohen dhe të konsumojnë si fillim një kafe njohëse me kolegët socialistë.
***
Tre komisione të tjera parlamentare nisën punë këtë të mërkurë, 2 prej të cilëve nën drejtimin e opozitës.
Mbledhjet e para kishin qëllim konstituimin e tyre dhe miratimin e kalendarit, por u shfrytëzuan nga Ina Zhupa dhe Luçiano Boçi që janë kryetarë të dy komisioneve, për të akuzuar qeverinë.
“Diaspora vërtetë u mundësua që të votonte, por u pamundësua që të shprehte vullnetin e saj të vërtetë politik”, tha Ina Zhupa.
“Nëse flitet për dixhitalizim, modernizim, për laboratore IT, shkumësi dhe tabela e zezë bëjnë kërdinë”, deklaroi Luçiano Boçi.
Por ky hov i demokratëve për të mos humbur asnjë rast për të bërë politikë opozitare, u pre nga një tjetër deputete demokrate.
“Unë mendoj që ta relaksojmë, është dita e parë, të prezantohemi me njëri-tjetrin. Të pimë të gjithë një kafe? Votojmë kalendarin edhe e mbyllim këtë punë”, tha Jozefina Topalli.
Mes opozitarëve pati edhe nga ata që gjetën aleancë me zërat kritikë brenda vetë mazhorancës.
“Kulla që ndërtohen dhe ende nuk ke aty shkollë, kopësht e të tjera me radhë. Më vjen mirë që deputeti Braçe ka filluar dhe është ndërgjegjësur për problematikat e Tiranës dhe i denoncon edhe ato të arsimit. Pra kemi disa reflektime nga ana e mazhorancës. Kur flasim për shkollën do duhet të kuptojmë që është një sfilitje në momentin që arsimit parauniversitar mbaron në orën 11:30", tha deputetja e PL, Erisa Xhixho.
Në komisionin e tretë, atë për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, që drejtohet nga socialisti Bledi Çuçi, u bënë thirrje për bashkëjetesë.
“Të shmangim marrjen e rolit qoftë të policit, prokurorit apo gjykatësit”, tha Bledi Çuçi.
Parlamenti ekziston për shkak të opozitës, mos paragjykoni propozimet tona”, u shpreh deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri.
Komente
