Konstituohet komisioni i Posaçëm për Dezinformimin, PD s’merr pjesë! Braçe: Interes, siguria kombëtare! Opozita duhet të ishte pjesë e kësaj lufte

26 Qershor, 08:01| Përditesimi: 26 Qershor, 11:44

  • Share

TIRANË- Rreth dy muaj pasi i miratua ngritja e tij në Kuvend, sot është konstituar Komisioni i Posaçëm i dezinformimit, i cili u mblodh sot nga kryetari Erion Braçe. Asnjë deputet i PD nuk ishte i pranishëm, e madje as përfaqësuesit e grupeve të vogla parlamentare, Mesila Doda dhe Fatmir Mediu të cilët më herët kishin deklaruar se do të bëheshin pjesë e komisionit.

Kryetari i Komisionit Erion Braçe e konsideroi të rëndësishme praninë e opozitës pasi interesi i përbashkët është siguria kombëtare.

‘Do të marrim shembujt më të mirë nga BE dhe SHBA. Opozita duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj lufte. Unë dhe kolegët e mi kemi dhënë të gjithë kohën e mjaftueshme që opozita të njihet me fenomenin ta pranojë atë. Për të zbehur çdo lloj paragjykimi, objekti i punës nuk do të jetë individi. Çdo individ ka hapësirën e vet të mbështetur në ligj. Objekti i punës së këtij komisioni është interesi kombëtar dhe siguria kombëtare. Kjo betejë nuk bëhet pa median, media ka dy statuse kontributore dhe mbikëqyrëse e punës së këtij komisioni.’- tha Braçe.

Ndërsa kreu i grupit socialit, Bledi Çuçi bëri thirrje që ky komision të distancohet nga lufta partiake, por të punohet për një qëllim të përbashkët.

"Vertet eshte nga ato komisionet qe nuk duhet pare si pjese e luftes partiake mes mazhorances dhe opozites. Me vjen keq qe koleget e opozites ende sot nuk kane shprehur gatishmerine per te ardhur. Dizinformimi eshte nje fenomen historik prej Egjipit te lashte dhe deri me sot, madje deri ne ate pike sa kane deformuar fakte historike. Ajo qe na ul sot ne kete komision eshte shqetesimi qe ka bota perendimore denokratike se ky fenomen mund te cenoje vlerat tona demokratike", tha Çuçi. 

Nën drejtimin e Erion Braçes, i cili në krah kishte vetëm kolegët socialistë u miratuan disa projekt-vendimeve që kërkonin përfaqësimin e administratës publike, institucioneve  të pavarura dhe agjencive ligjzbatuese, me ekspertët e tyre. Një ftesë publike për ekspertë të jashtëm iu drejtua  edhe partnerëve ndërkombëtarë SHBA, BE dhe  NATO.  Si dhe një ftesë për bashkëpunim shoqërisë civile dhe medias tradicionale dhe asaj online.

Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin do të funksionojë për një afat kohor 1-vjecar, dhe synon të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike duke nisur nga fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.

Ngritja e Komisionit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe parlamentin evropian në luftën kundër dezinformimin dhe ndërhyrjen nga vendet e huaja. Në përfundim të punës 1-vjecare, Komisioni do të përgatisë një raport me analizat, gjetjet dhe propozimet për ndryshimet ligjore dhe  masat administrative.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?